Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ahmeti thotë se Ekipi negociator nuk shkoi tinëz në Bruksel

Bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti në Rubikon të KTV-së ka thënë se nuk kanë shkuar fshehurazi në Bruksel në ditët e fundit për takim me ekip të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Sipas tij, vetë fakti që kanë fluturuar përmes një linje publike atëherë nuk ka qenë asgjë e fshehtë.

Ai bëri të ditur se janë takuar me një ekip ndërmjetësues.

“U takuam atje me ekipin ndërmjetësues, është një ekip që punon atje vazhdimisht. Kur ka nevojë takohemi edhe znj. Mogherini, kësaj here nuk jemi takuar me të”, tha Ahmeti në Rubikon të KTV-së duke theksuar se ishin atje vetëm për të dorëzuar zyrtarisht platformën e votuar në Kuvendin e Kosovës.

“Zakonisht ata nuk komentojnë se është diçka e mirë apo e keqe sepse gjithmonë na kanë thënë se janë vetëm ndërmjetësues. Ideja e tyre është që të merren pozicionet e Serbisë dhe Kosovës dhe të shohin se ku ka mundësi të ketë përafrim”, bëri të ditur Ahmeti.