Shpend Ahmeti ia ka dorëzuar detyrën e të parit të Prishtinës, Përparim Ramës. Në zyrën e kryetarit, Ahmeti i tha Ramës së LDK-së kryetari i Komunës ka për detyrë të merret me problemet e qytetarëve, duke theksuar se qeverisja duhet të bëhet sa më barabartë.
“Çdo hallexhi që ka nevojë për t’i ndihmuar, të lutem vazhdojë atë rrugë. Si kryetar i Prishtinës duhet të jesh sa më i barabartë. Mund t’ua rrëzosh të gjithëve ndërtimet pa leje, por kur e bënë pabarabartë, në momentin kur ka dallime, ka probleme. Unë i theksoj shumë këto dy gjëra”, deklaroi Ahmeti.
Rama theksoi se është i hapur për koalicione brenda Komunës, me qëllim që të ketë përbashkim “për të mirën e qytetarëve”.
“Në aspektin e koalicioneve, ne jemi të hapur për bashkëqeverisje. Ka qenë betejë e programeve, do të mundohemi që t’i përbashkojmë për të mirën e qytetarëve”, tha Rama.
Me shaka, Ahmeti deklaroi se mezi po pret që të ankohet dikush për kanalizime, e t’i përgjigjet se nuk është më kryetar.
“Mezi po pres të më shkruajë dikush se s’po bën kanalizimi, e t’i them s’jam më”, deklaroi ai.