Arbëri

Ahmeti fton asamblistin e VV-së për t’i qëruar hesapet jashtë sallës së Kuvendit [video]

Pas një debati të gjatë e të ashpër mes kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe dy asamblistëve të Vetëvendosjes, për pak sa nuk ka ardhur deri të rrahja.

Në një moment, Ahmeti ftoi asamblistin e VV-së, Besnik Mujeci t’i sqarojnë hesapet në hollin e Kuvendit komunal.

Gjithçka nisi në kohën kur asamblisti tjetër i VV-së, Egzon Azemi, akuzonte PSD-në, LDK-në, AKR-në dhe PDK-në se kanë bërë një koalicion, përmes një takimi të fshehtë të thirrur nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta. Në këtë moment, reagoi kryetari Shpend Ahmeti, duke folur sipas tij, për takimet e fshehta që ka bërë gjatë kohës që ka qenë në Vetëvendosje.

Situata eskaloi gjatë kohës që në debat ndërhyri këshilltari tjetër i Kuvendit Komunal i Vetëvendosjes Besnik Mujeci, që Ahmeti e mori si kërcënim dhe ftoi jashtë sallës “për sqarim”.

“Ti a po më kërcënon mua. Eja jashtë?”, i tha Ahmeti Mujecit dhe u nis në holl të objektit, Pas tij, u nis edhe Mujeci. Incidenti i mundshëm u ndalua nga ndërhyrja e asamblistëve të tjerë.

Pasi Ahmeti e Mujeci dolën në holl, kryesuesi i Kuvendit, Agim Kuleta, fyeu ekipin e KOHËS, duke thënë se është “turp të raportohet” për këtë.

“Ju po i nxisni më shumë, po mundoheni të bëni vetëm skandale”, tha ai për ekipin e KOHËS.

Incidente të ngjashme ka pasur edhe më herët në mbledhjet e Kuvendit Komunal të Prishtinës.