Arbëri

AGK-ja dënon gjuhën e Sveçlës ndaj mediave

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

AGK e ka parë me shqetësim postimin e ministrit Sveçla, “në të cilin ai përdorë gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të medieve dhe gazetarëve”.

“Ministri Sveçla insinuon se audio-incizimet e Shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e Srpskas, Simiq u janë dhënë medieve kosovare nga presidenti serb, Vuçiq”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ndërkohë, ka dënuar gjuhën ndaj dy pronarëve të mediave të cilët i ka përmendur Sveçla.

“Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet”, thuhet tutje në reagim.

Ndërsa, ka reaguar edhe juristja e së drejtës së mediave, Flutura Kusari. Ajo ka shkruar se ndërlidhja e punës se gazetarëve të Kosovës me Serbinë dhe Vuçiqin është e rrezikshme dhe çon në dhunë online dhe potencialisht edhe në dhunë fizike.

“Statusi i Ministrit Sveçla është sulm serioz ndaj gazetarëve dhe nxitje e masave për t'i kundërshtuar ata. Dihet që masat nganjëherë nuk zgjedhin metoda. Ministri Sveçla, Lëvizja Vetëvendosje dhe zyrtaret dhe mbështetësit e tyre duhet ta kuptojnë që duke i sulmuar mediat dhe gazetarët nuk mund t'i frikësojnë dhe nuk do t'i frikësojnë apo heshtin ato”, ka shkruar Kusari.