Arbëri

Agjencia për Informim dhe Privatësi kërkon nga partitë politike të ruajnë të dhënat personale të qytetarëve

Agjencia për Informim dhe Privatesi

Para fillimit të fushatës zgjedhore, Agjencia për Informim dhe Privatësi, u ka bërë thirrje partive politike që të ruajnë të dhënat personale të qytetarëve.

Agjencia ka kërkuar nga partitë që të mos përdorin të dhënat e kontaktit të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike, të mbajtura nga institucionet dhe të respektojnë të drejtën e tyre për të kundërshtuar përpunimin e të dhënave të tyre.

Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi, partitë politike obligohen që:

-Të sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj;

-Të mos përdoren të dhënat e kontaktit të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike, të mbajtura nga institucionet, apo të mbledhura për qëllime të tjera jo-politike, për komunikim ose marketing politik.

-Të respektohet e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përpunimin e të dhënave të tyre, për qëllim marketingut politik dhe të sigurohet ndërprerja e menjëhershme e komunikimit pas paraqitjes së kundërshtimit.

-Të shmangen format e profilizimit e votuesve për qëllim të marketingut politik ose përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç në rastet kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe kur janë ndërmarrë masat mbrojtëse. Në rastet kur përdoren teknologji që mund të shkaktojnë rrezik të lartë për të drejtat e individëve, kërkohet kryerja e Vlerësimit të Ndikimit mbi Mbrojtjen e të Dhënave (VNMDh) sipas udhëzimeve të AIP.

-Të sigurohet transparencë e plotë ndaj qytetarëve lidhur me qëllimet, arsyetimin ligjor dhe mënyrat e përpunimit të të dhënave personale dhe të  publikohen politika të privatësisë të qarta, të përditësuara, dhe të qasshme gjatë gjithë periudhës zgjedhore.