Në vendin e tyre të punës, deputetët e Kuvendit u paraqitën 16 herë gjatë gjithë muajit maj, e për pjesëmarrjen çdo 48 orë në seanca, që mesatarisht zgjatën nga 5 minuta, ata morën pagë bazë prej 1 mijë e 859 eurosh.
Vetëm gjatë majit, pagat e 103 ligjvënësve buxhetit të shtetit i kushtuan në total 191 mijë e 477 euro.
Në këtë shumë nuk përfshihen 17 anëtarët e Ekzekutivit, që janë zgjedhur deputetë, e vazhdojnë të marrin pagë si qeveritarë.
Bazuar në dhënat e siguruara nga Kuvendi, krahas pagës bazë, deputetët në maj kanë marrë edhe shtesa të përvojës.
Ligjvënësit, që janë zgjedhur në këtë detyrë për herë të parë, morën edhe nga 676 euro, si pagë retroaktive për shërbimin e tyre si deputetë nga dita e betimit më 19 prill, deri në fund të po atij muaji.
Me këto shtesa, pagesa bruto për 103 deputetët e Kuvendit e kap shumën prej afro 235 mijë eurosh.
KOHA raportoi të premten se 82 deputetë janë bërë me asistentë personalë, ani se prej dy muajsh nuk kanë bërë punë në Kuvend. E, angazhimi i asistentëve, buxhetit të Kosovës i kushton për një muaj, afër 74 mijë euro.
Kuvendi ka dështuar të konstituohet që nga 15 prilli, kur është mbajtur seanca e parë. Që atëherë, deputetët janë mbledhur çdo dy ditë për dy muaj radhazi.