Afrim Zhitia e Fahri Fazliu janë kujtuar në 34-vjetorin e rënies së tyre.
Me këtë rast krerët e institucioneve kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se dy heronjtë e kombit janë pishtarë dhe paralajmërues të luftës çlirimtare të Kosovës.
Konjufca ka theksuar se me veprat e dy heronjve çdo ditë do të edukohen brezat e rinj.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se Zhitia dhe Fazliu janë sinonim i shprehjes së mirënjohur "deri në frymën e fundit". Sipas tij, të dy heronjtë punuan së bashku deri në fund të jetës së tyre, për çlirim dhe bashkim të vendit.
Edhe
Heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu cilësohen si frymëzim i luftëtarëve të UÇK-së
Kurti gjithashtu ka shkruar edhe ne Facebook duke thënë se Zhitia e Fazliu e kishin nisur aktivizmin e tyre në demonstratat e vitit 1981, kurse në demonstratat e vitit 1989, ata ishin bërë organizatorë demonstratash.
"Deri në ditët e fundit para rënies, më 31 tetor dhe 1 nëntor 1989, Afrimi dhe Fahriu kishin organizuar demonstrata dhe u kishin prirë atyre bashkë me shokët e tjerë në Prishtinë. Kishin shpërndarë trakte dhe kishin planifikuar hapat e ardhshëm të lëvizjes ilegale. Po e zgjeronin grupin, po e forconin organizimin dhe po e rrisnin aktivizmin. Niveli i tyre i gatishmërisë, është qartazi i lexueshëm në aktin e tyre të fundit, kur edhe të armatosur luftuan për atë drejt së cilës ishin nisur që në rini, për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas tij rasti i Afrimit dhe Fahriut ishte nga shenjat e para në dekadën e mbarmë (1989 – 1999), në historinë e përpjekjes së shqiptarëve të Kosovës për t’u çliruar nga pushteti okupues i Serbisë. “Veprimtaria e Afrimit dhe Fahriut deri në frymën e tyre të fundit, u bë shembull frymëzues për shokët e tyre dhe ata që më pas iu bashkuan grupeve ilegale në lëvizjen për çlirimin e Kosovës. Lavdi jetës me përkushtim atdhetarie, veprimtarisë me shumë punë e aksione dhe rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut!”, ka shkruar Kurti.
Zhitia e Fazliu janë kujtuar edhe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Sot, në 34-vjetorin e rënies, kujtojmë e nderojmë dy heronjtë e kombit, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu. Ata i takojnë brezit të hershëm të lëvizjeve për liri, i atdhetarëve që ranë për çlirimin e Kosovës. Pa asnjë dyshim, Afrimi e Fahriu janë atdhetarët e hershëm që me jetën dhe veprën e tyre motivuan brezat që në fundshekullin e kaluar t'i japin fund robërisë përmes luftës sonë çlirimtare. Lavdia u takon të rënëve në secilën etapë të historisë sonë të lavdishme!”, ka shrkuar Haradinaj.
Edhe
Udhëheqësit politikë e partiakë lartësojnë sakrificën e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut
Në 34-vjetorin e vrasjes së tyre do të bëhen homzhe te vendi i rënies në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia kanë rënë më 2 nëntor të vitit 1989 në lagjen “Bregu i Diellit” pas një rezistence disa orësh me policinë serbe.