LAJMET E MBRËMJES

Vepra e Zhitisë dhe Fazliut vlerësohet se frymëzoi mijëra luftëtarë të UÇK-së

Në shenjë nderimi për dy figurat e shquara të qëndresës shqiptare që u bënë pjesë e identitetit të lirisë së Kosovës, të dielën u bënë homazhe në 36-vjetorin e rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Në varrezat e dëshmorëve në Velani, familjarë, qytetarë dhe udhëheqës institucionalë nderuan veprën e tyre, duke theksuar se kontributi i dy dëshmorëve mbetet frymëzim i përhershëm për brezat që po e ndërtojnë Kosovën e lirë

Në 36-vjetorin e rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, udhëheqës të institucioneve, të partive politike si dhe familjarë vlerësuan lart veprën dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
Pasi bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Velani, të dielën, motra e Afrim Zhitis, Sadetja dhe nipi i Fahriu kanë thënë se ndihen të lumtur që idealet e heronjve po bëhen realitet në shtetin e Kosovës.

“Është njëri nga ata që punuan vazhdimisht, ishin nëpër burgje, dolën, vazhduan luftuan dhe ranë. Sot, kur po vijmë në përkujtime, jemi të lumtur, sepse pavarësisht ankesave që mund t’i kemi, shteti ynë po zhvillohet, po ecën me hapa të sigurt dhe sidomos kohëve të fundit jemi shumë të lumtur që shteti ka shtrirë sovranitetin e vet anekënd vendit. Ushtria është forcuar dhe po e shohim që jemi drejt finalizimit të ëndrrave të vërteta të të gjithë heronjve”, ka thënë Sadete Zhitia.

E nipi i Fahri Fazliut, që mban emrin e dëshmorit, ka thënë se ata ranë heronj në një luftë të pabarabartë me forcat serbe.

“Me shumë mall dhe krenari e kujtojmë atë ditë dhe falënderojmë të gjithë qytetarët nga të gjitha trojet shqiptare që kanë ardhur sot për t’i nderuar dëshmorët e kombit. Është një peshë, krenari, por edhe përgjegjësi e madhe”, ka thënë Fazliu.

Dy heronjtë i ka kujtuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai ka thënë se jeta dhe vepra e tyre duhet të studiohen më shumë nga historianët.

“Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen e popullit dhe sensibilizoi opinionin publik se në Kosovë ka një popull që nuk nënshtrohet dhe do të rezistojë deri në lirinë për veten e tij. Më 2 nëntor 1989, Fahriu dhe Afrimi luftuan më shumë se gjashtë orë dhe kjo tregon çfarë heronj të etur për liri kanë qenë ata. Ata i paraprinë heronjve dhe dëshmorëve që erdhën pas tyre. Ka nevojë që jeta, vepra, rënia dhe konteksti politik i rënies së tyre heroike të studiohen më shumë nga historianët dhe shkencëtarët, sepse liria e brezave të ardhshëm varet nga sa mirë e përvetësojmë jetën dhe veprën e tyre”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kanë theksuar se sakrifica e tyre u bë frymëzim për mijëra të tjerë që më pas u rreshtuan në rrugën e lirisë.

“Të dy këta ranë duke u ballafaquar me regjimin e atëhershëm, por pas rënies së tyre u zgjuam dhe u inspiruam me mijëra të tjerë — frymëzim që më pas u kurorëzua me themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 36 vite më vonë jemi këtu për të kujtuar jetën dhe veprën e tyre, prandaj lavdi jetës dhe veprës së tyre dhe gjithë dëshmorëve të tjerë”, ka thënë Basha.

“Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu qëndrojnë si pararojë e lirisë së Kosovës. Ata ishin dy nga udhëheqësit që u bënë jo vetëm dëshmorë të kombit, por edhe frymëzim i gjeneratave që pasuan veprimtarinë dhe sakrificën e tyre, e cila kulmoi me luftën çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar Krasniqi.

Më 2 nëntor 1989, Afrimi dhe Fahriu u rrethuan në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë nga forcat serbe dhe ranë heroikisht pas disa orësh luftime.