LAJMET E MBRËMJES

Udhëheqësit politikë e partiakë lartësojnë sakrificën e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut

Në 34 përvjetorin e rënies, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu janë përkujtuar me homazhe nga qytetarë, veprimtarë e drejtues të institucioneve e partive politike. Kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca kanë thënë se sakrifica e dy dëshmorëve do të mbetet përherë në histori. Zhitia dhe Fazliu, nëntorin e 1989-s, ndërsa ishin në banesë në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, janë rrethuar nga forcat e shumta policore dhe pas disa orësh rezistencë ata janë qëlluar për vdekje

Familjarët e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut pritën qytetarë, veprimtarë e drejtues të institucioneve e partive politike për homazhe në 34-vjetorin e rënies së tyre.

Përvjetori që kujton rezistencën e dy veprimtarëve gjatë përballjes me policinë serbe në lagjen “Bregu i Diellit” në kryeqytet, ua kthen në kujtesë familjarëve momentin kur e morën lajmin e trishtë.

“Afrimi në atë periudhë është plagosur dhe ka vazhduar në tretin katër dhe ka hapur derën e një banese ku është përgjigjur një grua aty dhe i ka thënë që të hyjë brenda, por ai vetëm e ka lyp një çarçaf të bardhë për ta lidhur plagën dhe për ta vazhduar rezistencën”, ka thënë vëllai i Afrimit, Naim Zhitia. “Afrimi nuk është vra në bodrum por është gjetur i mbështetur në shkallë me tetë plumba në trup dhe një në ballë”, ka shtuar ai.

Për homazhe te varrezat e dy veprimtarëve në lagjen “Velania” kanë shkuar edhe kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca.

Kurti ka thënë se sakrifica e tyre do të mbetet përherë në histori.

“Afrimi dhe Fahriu janë sinonim i asaj shprehjes së mirënjohur jo vetëm të popullit tonë ‘deri në frymën e fundit’. Punuan bashkë, vepruan bashkë për shtetin dhe për liri e për drejtësi deri në frymën e fundit, por si Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha pesë vjet para tyre dhanë jetën për Kosovën për kombin shqiptarë, andaj ne sot i kujtojmë me shumë mall”, ka thënë Kurti.

Konjufca ka thënë se veprimtaria e dy dëshmorëve duhet të nderohet vazhdimisht.

“Ata e dhanë porosinë dhe shembullin më të vlefshëm se okupatori nuk largohet nga Kosova pa i kap populli armët në dorë. Kjo ishte porosia e tyre më e vlefshme dhe më vjen mirë që ata po nderohen dhe respektohen gjithmonë”, ka thënë ai.

Vizitë te varrezat e tyre bëri edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Ai ka thënë se sakrifica e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut është dëshmi e rrugës së vështirë që ka kaluar populli shqiptar.

“Sa ma shumë që kalojnë vitet aq më shumë rritet vlera e kontributit të tyre të jashtëzakonshëm. Kontributit çlirimtar dhe intelektual, organizativ e patriotik, të cilin çdo ditë e më shumë kemi nevojë jo vetëm ta vlerësojmë, por përmes tij edhe t’i edukojmë brezat e ri, për të ditur edhe më mirë rrugën e vështirë mbi të cilën ka kaluar populli ynë”, ka thënë ai.

Deri në ditën e flijimit, të dy dëshmorët kishin organizuar demonstrata dhe u kishin prirë atyre bashkë me veprimtarë të tjerë në Prishtinë.

34 vjet pas rënies së tyre, zyrtarë të EULEX-it dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në shtator kanë bastisur ish-bazën e Fahri Fazliut, e cila tani shfrytëzohet nga familjarët e tij si hapësirë banimi. Aty qëndron nipi i dëshmorit, i cili mban emrin e gjyshit, Fahri Fazliu. Ai është intervistuar para dy vjetësh nga ZPS-ja, nën dyshimin për pengim të administrimit të drejtësisë.