Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aeroporti i Kukësit, i gatshëm për operim në fillim të vitit 2020

Aeroporti i Kukësit do të jetë i gatshëm për operim në fillim të vitit 2020, nëse procedurat për dhënien me koncesion do të kryhen brenda afatit ligjor. Në të kundërtën, kjo periudhë mund të jetë edhe më e largët.

Ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar herë pas here si afat të mundshëm fillimin e 2019-s, që përkon me zgjedhjet vendore në Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka vendosur të mërkurën që t’i jepen 8 pikë bonus bashkimit të shoqërive “Kastrati”, sh.a. & “T.M.D Systems LTD”, që kanë bërë ofertën e pa kërkuar për rehabilitimin, operimin dhe vënien në punë të Aeroportit të Kukësit.

Në ditët në vijim pritet të hapet tenderi, ku në garë do të marrin pjesë edhe operatorë të tjerë. Por Aeroporti i Kukësit do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë përpara se të vihet në operim. Në bazë të ofertës së bërë nga bashkimi i kompanive “Kastrati sh.a & T.M.D Systems LTD”, ato zotohen për një investim shtesë me vlerë 6.8 milionë euro si domosdoshmëri për vënien në funksionim të Aeroportit të Kukësit. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).