Arbëri

Aeroporti i Gjakovës ende jashtë funksionit

Po bëhen 7 vjet prej kur Qeveria e Kosovës kishte krijuar ndërmarrjen publike “Aeroporti i Gjakovës”, aeroport ky që ka mbetur jashtë funksionit edhe sot.

Aeroportin e Gjakovës e ndërtoi KFOR-i italian për qëllime ushtarake dhe i cili deri në vitin 2013 është përdorur në mbështetje të aktiviteteve ushtarake për aeroplanët e operacioneve të misionit të NATO-s.

Ndërsa transformimi te autoritetet e Kosovës ishte bërë në vitin 2013, pas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Italisë dhe Qeverisë së Kosovës. Ndërkohë që sot përdoret për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë për KosovaPress, se problemet me funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës datojnë nga viti 2011, me vendimin për koncensionimin e Aeroportit “Adem Jashari”.

Ai ka thënë se kontrata për koncensionimin e Aeroportit “Adem Jashari”, e ka pamundësuar hapjen në këtë fazë të Aeroportit të Gjakovës.

“Problemi me funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës daton në vitin 2011, para 10 viteve, kur qeveria e atëhershme e ka koncensionuar Aeroportin ‘Adem Jashari’, me kushtet të cilat e kanë pamundësuar hapjen e aeroportit të dytë komercial në Kosovë. Do të thotë atëherë është problemi dhe ata që e kanë bërë këtë duhet me dhënë përgjigje. Zgjidhja që FSK-ja me mbikëqyrë aeroportin është e mirë për mos me pas degradim për shkak se është një investim jashtëzakonisht i madh, pista është e njëjtë me Aeroportin e Prishtinës, i plotëson të gjitha kushtet për ngritje dhe aterim”, ka thënë ai.

Megjithatë nga partia në pushtet thonë se në plan të tyre kanë funksionalizimin e Aeroportin të Gjakovës.

Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se tashmë e kanë një plan dinamik, i cili mund ta kthejë një pjesë të funksionit dhe ta bëjë aeroportin si pikë reference për qytetarët e asaj zone, jo vetëm për Kosovë por edhe për Shqipëri.

“Është evidente që qeveritë në të kaluarën nuk e kanë pasur këtë interes [funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës]. Në fakt qeveria ia ka dhënë komplet Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka ndonjë aktivitet përmbajtjesor atje. Fatkeqësisht, vetëm ka filluar degradimi i aseteve të cilat janë lënë nga KFOR-i italian, por unë mendoj që tash është momenti ideal dhe me faktin që qeveria Kurti edhe në planin e saj e ka funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës edhe për qëllime tjera, përveç atyre ushtarake. E kemi një plan dinamik, i cili mund ta kthejë një pjesë të funksionit dhe ta bëjë aeroportin si pikë reference për qytetarët e asaj zone, jo vetëm për Kosovë por edhe për Shqipëri”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, ky aeroport duhet të funksionalizohet për qëllime komerciale.

“Unë sot ende jam e besimit që ai aeroport duhet të funksionalizohet për qëllime komerciale dhe natyrisht që brenda rregullave të përcaktuara edhe nga kontrata që është në Aeroportin e Prishtinës por gjithashtu me interes të madh edhe për qytetarët edhe për kompanitë. Do të thotë edhe mund të përdoret për kargo edhe për servisim të aeroplanëve”, është shprehur Kusari-Lila.

Në anën tjetër në një përgjigje me shkrim të Ministrisë së Mbrojtjes për KosovaPress, bëhet e ditur se FSK e shfrytëzon hapësirën e Aeroportit të Gjakovës varësisht nga nevojat për aktivitetet stërvitore.

“FSK, sikur edhe pronat tjera në shfrytëzim, edhe hapësirën e Aeroportit të Gjakovës, aktualisht por edhe në të ardhmen, e shfrytëzon varësisht nga nevojat për aktivitetet stërvitore, operacionale dhe mbështetëse të njësive të saj”, thonë nga kjo ministri.

KosovaPress ka kontaktuar edhe Autoritetin e Aviacionit Civil lidhur me çështjen e Aeroportit të Gjakovës, por që nuk kanë pranuar të deklarohen./KP