Në mungesë të dëshmitarëve, ish-deputetëve Adem Grabovci, Ismet Beqiri dhe Slobodan Petroviq, ka dështuar të mbahet të mërkurën gjykimi ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar më 2016 në Kuvend.
Ndaj, Grabovcit dhe Beqirit, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.
Lidhur me mungesën e dëshmitarëve, gjykatësja Edita Çanta konstatoi se Grabovci kishte qenë i ftuar sipas procesverbalit të seancës së kaluar, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.
Ndërkaq, për Beqirin tha se është ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën as ai nuk e ka arsyetuar.
Po ashtu, gjykatësja Çanta konstatoi se për dëshmitarin Petroviq, nuk ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, pasi që nuk është kthyer fletë-kthesa.
Edhe
Me kërkesë të Glauk Konjufcës, shtyhet gjykimi për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend
Ajo tha se ndaj Grabovcit dhe Beqirit do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim, ndërkaq ndaj Petroviq tha se gjykata do të pret fletë-kthesën dhe më pas do të veprojë sipas dispozitave ligjore.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme është shtyrë ndërsa e radhës është caktuar të mbahet më 13 prill 2022.
Seanca e kaluar për këtë rast ishte shtyrë për shkak se Konjufca nuk kishte të angazhuar mbrojtës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, ai më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ku gjatë mbledhjes ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Edhe
Glauk Konjufca pa avokat, dështon gjykimi ndaj tij se hodhi gaz lotsjellës në Parlament
Sipas aktakuzës Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi