Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Glauk Konjufcës në rigjykimin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
“I pandehuri Glauk Konjufca lirohet nga akuza”, tha gjykatësja Edita Çanta.
Konjufca akuzohej për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës gjatë një mbledhjeje në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk ishte provuar se kishte kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Ndërsa, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, për të cilën kishte arritur parashkrimi, akuza ishte refuzuar. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte rrëzuar vendimin e Themelores dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Ndryshe, në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Edita Çanta kishte bërë të ditur se Konjufcës i ishte parashkruar vepra penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Glauk Konjufcës, duke e ngarkuar me dy vepra penale. Sipas aktakuzës, Konjufca më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në cilësinë e deputetit, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallë.
Edhe
Rigjykimi për gazin lotsjellës në Kuvend, Konjufca deklarohet i pafajshëm
Në aktakuzë thuhej se si pasojë e gazit lotsjellës, pjesëmarrësit ishin detyruar të braktisnin sallën, pasi qëndrimi i tyre ishte pamundësuar nga tymi i shkaktuar nga gazi.Konjufca akuzohej për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 i Kodit Penal, e cila parashihte dënim me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, me dispozitivin e dytë të aktakuzës, ai akuzohej se gjatë përdorimit të gazit lotsjellës kishte penguar personat zyrtarë, përfshirë kryetarin e atëhershëm të Kuvendit, Kadri Veselin, dhe deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, në kryerjen e detyrave zyrtare. Për këtë vepër, Konjufca akuzohej për “Pengimin e personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, sipas nenit 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila dënohej me burgim prej tre muajsh deri në tre vjet.
-
Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend
-
Të akuzuarit për gazin lotsjellës në Kuvend me kritika për prokurorinë: “Ishte e kapur në atë kohë”
-
Paraqiten para gjykatës Pacolli, Zyba e Millaku për gazin lotsjellës në Kuvend
-
Avokatët thonë se Haxhiu, Lekaj, Kadaj e Baftiu janë shpallur të pafajshëm për gazin lotsjellës në Kuvend