Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abdixhiku thotë se po vjen “koha e LDK-së”

Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar “mobilizim të paparë” nga partia e tij në vitin 2024 duke shtuar se po vjen “koha e LDK-së”.

Në një adresim fundviti për bashkëpartiakët e tij, e ka quajtur 2023-shin vit të ngjarjeve të mëdha për LDK-në. Ai ka lavdëruar partinë për zgjedhjet e brendshme, Kuvendin Zgjedhore, e programin “Rruga e Re”. Sipas tij, tash LDK-ja ka kthyer besimin që e kishte humbur. Megjithatë, ai ka thënë se kjo ka angazhuar “cinikët e rinj e kundërshtarët e vjetër të Lidhjes”.

“Të zënë në habi nga një mbështetje me rritje masive, të mbetur jashtë rrjedhave politike, të parët, zgjodhën përqeshjen, të fundit zgjodhën shpifjen dhe urrejtjen. Ringritja e së djathtës e rugovizmit, i tmerron. Qenia jonë i bën më agresiv. Të gjithë kanë një qëllim, të mbysin entuziazmin rreth LDK-së. Do të shtohen më shumë, do të bëhen më të ashpër, do të jenë më ofendues e më me vrerë, por pikërisht atëherë, ne kuptojmë se jemi në rrugë të vërtetë. Pikërisht atëherë, mes zymtësisë së tyre, ne duhet të gjejmë më të bukurën tonë, të vendit tonë, të zërit qytetar që po na kërkon. Pikërisht atëherë do t’i mundim të gjithë, një nga një - për t’u dhënë më pas edhe atyre një Kosovë më të mirë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook në letrën e fundvitit.

Sipas tij, qytetarët kanë nevojë për LDK-në.

“E keni dëgjuar të gjithë. E shihni të gjithë. E prekni të gjithë në çdo bisedë e takim me fqinj, bashkëpunëtorë, të afërm, të njohur e të panjohur. Ka vetëm një thirrje e një kërkesë: ejani sa më shpejtë! Ne jemi zgjedhja. Nga ne presin zgjidhjen. Prandaj koha jonë po vjen. Ndryshimin e madh në zgjedhje lokale, atë që provojnë ta zvogëlojnë secilën ditë, po atë ndryshim e duan në betejën nacionale. Për ta bërë këtë ndryshim na duhet veprim. Dhe atë menjëherë. Prandaj veten do ta vendosim në terren. Nga janari i vitit 2024, LDK-ja zbret në çdo anë, në një mobilizim të paparë për një kohë të gjatë. Sepse besojmë në veten; besojmë në programin tonë ‘Rruga e Re’; besojmë në Republikën e Kosovës e në orën e ndryshimit që thërret për ne”, ka shkruar tutje ai.

Artikuj të ngjashëm