Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka thënë emisarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, se nëse LDK-ja merr pushtetin nga zgjedhjet e ardhshme, do ta ketë prioritet Procesin e Berlinit.
Kjo nismë sivjet shënon 10-vjetorin. Në 10-vjetorin e tij, samiti punimet do t’i zhvillojë në Berlin, ku në tetor do të mblidhen përfaqësues të Ballkanit Perëndimor e të shteteve të Bashkimit Evropian.
“Në Selinë Qendrore të LDK-së, prita emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin. Në prag të 10 vjetorit të nisjes së Procesit të Berlinit, diskutuam për rëndësinë e participimit të Kosovës aty; dhe mundësitë e mëdha ekonomike që rrjedhin për Republikën e Kosovës. Si LDK, kemi mbështetur dhe mbështesim në plotni këtë proces; siç dhe presim nga Qeveria në largim përmbushjen e obligimeve finale në këtë drejtim duke mos dëmtuar pozicionin tonë aty”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. “Nga 9 shkurti, do t’i japim prioritet jo vetëm kësaj nisme strategjike, ku Kosova ka vend e rol të barabartë me shtetet e tjera të rajonit, por dhe secilit proces tjetër integrues e konsolidues që ka ngecur për 4 vite rresht - fillimisht duke rikuperuar pozicionin tonë të rënduar e më pas duke avancuar drejt qëllimeve tona historike. Në qeverisjen time, konsolidimi shtetar dhe interesat e Republikës nuk kompromitohen me vendime populliste!”
Emisari gjerman sot nisi seri takimesh me liderët politikë në vend. Më herët gjatë ditës ai ka takuar presidenten Vjosa Osmani e kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
-
Sarrazin: Përparimi drejt BE-së varet prej kompromisit mes Kosovës dhe Serbisë
-
Abdixhiku takon Sarrazinin: LDK-ja gjithmonë e gatshme për bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë
-
Abdixhiku: Më 30 korrik përcaktojmë LDK-në, pas kësaj le të përcaktojmë Republikën
-
Abdixhiku: Kosova ka nevojë për stabilitet politik e përgjegjësi shtetërore
-
Në LDK kërkojnë që nënkryetari i partisë t’ia zërë vendin kryetarit