Arbëri

Sarrazin: Përparimi drejt BE-së varet prej kompromisit mes Kosovës dhe Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vijuar ta përmendë rëndësinë e hartimit të një plani të përbashkët me ndërkombëtarët për hapjen e Urës mbi Ibër, në takimet që ka zhvilluar me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, dhe me ndihmëssekretarin e përgjithshëm për operacione në NATO, Thomas Goffus. Dy zyrtarët e lartë takime kanë pasur edhe me kryeministrin Albin Kurti, i cili një ditë më herët tha se po i kryejnë detyrat e shtëpisë dhe se janë në konsultime me ndërkombëtarët për hapjen e Urës. Emisari gjerman, Sarrazin, ka thënë se prej palëve kërkohen kompromise nëse duan të arrijnë përparim dhe përfitime në kuadër të Procesit të Berlinit

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, dhe ndihmëssekretari i përgjithshëm për operacione i NATO-s, Thomas Goffus, të enjten kanë vizituar Kosovën. 

Derisa takime me udhëheqës të shtetit janë zhvilluar pa prezencën e mediave, Sarrazin nga Aeroporti i Prishtinës ka dhënë një deklaratë të shkurtër për media. Ai nuk e përmendi fare Urën e Ibrit, për të cilën së fundmi kanë shprehur shqetësim ndërkombëtarët. Ka thënë se prej palëve kërkohen kompromise, teksa ato i ka ndërlidhur me perspektivën evropiane të Kosovës e Serbisë, si dhe të rajonit të Ballkanit. 

“Erdha sot në Prishtinë dhe javën e ardhshme do të udhëtoj në të gjithë rajonin për të përgatitur rezultatet konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, për të ecur përpara në rrugën e duhur. Por për këtë duhen kompromisi dhe ndonjëherë edhe gatishmëria për lëshime, për të rënë dakord për marrëveshje politike, të cilat nuk janë të lehta për Serbinë, dhe nuk janë të lehta as për Kosovën”, ka thënë Sarrazin.

Ai shprehu shqetësimin, siç tha, se ende vendet e rajonit nuk janë në nivelin e duhur për të sjellë rezultate konkrete të bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Po largohem i shqetësuar se nuk jemi ende aty. Nëse nuk arrijmë rezultate më të mira për këtë në Samitin e 14 tetorit, jam i shqetësuar se nuk do ta arrijmë synimin tonë për të dhënë një sinjal të fortë se bashkëpunimi rajonal, tregu i përbashkët rajonal dhe Procesi i Berlinit janë formati i duhur në rajon, që mund të sjellë rezultate konkrete për qytetarët në terren”, ka theksuar Sarrazin.

Para se të largohet, Sarrazin ka takuar liderë të institucioneve dhe  të partive opozitare. 

Njoftim lidhur me diskutimet e zhvilluara kanë lëshuar përfaqësues të opozitës. 

Sipas kryetarit të LDK-së, Memli Krasniqi, temë diskutimi kanë qenë zhvillimet e fundit politike në rajon, me theks të veçantë ato në Kosovë.

“Emisarin Sarrazin e njoftova se Partia Demokratike e Kosovës është angazhuar çdo ditë, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, të japë kontributin e saj të parezervë për ruajtjen e interesit të shtetit tonë. Për PDK-në, bashkëpunimi i mirë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik të Kosovës është tejet i rëndësishëm”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”. 

E, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka thënë emisarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, se nëse LDK-ja merr pushtetin nga zgjedhjet e ardhshme, do ta ketë prioritet Procesin e Berlinit.

“Në Selinë Qendrore të LDK-së, prita emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin. Në prag të 10-vjetorit të nisjes së Procesit të Berlinit, diskutuam për rëndësinë e participimit të Kosovës aty; dhe mundësitë e mëdha ekonomike që rrjedhin për Republikën e Kosovës. Si LDK, kemi mbështetur dhe mbështesim në plotni këtë proces; siç dhe presim nga Qeveria në largim përmbushjen e obligimeve finale në këtë drejtim duke mos dëmtuar pozicionin tonë aty”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. “Nga 9 shkurti do t’i japim prioritet jo vetëm kësaj nisme strategjike, ku Kosova ka vend e rol të barabartë me shtetet e tjera të rajonit, por dhe secilit proces tjetër integrues e konsolidues që ka ngecur për 4 vite rresht - fillimisht duke rikuperuar pozicionin tonë të rënduar e më pas duke avancuar drejt qëllimeve tona historike. Në qeverisjen time, konsolidimi shtetar dhe interesat e Republikës nuk kompromitohen me vendime populliste!”. 

Veç Sarazinit, të enjten në Kosovë ka qëndruar edhe ndihmëssekretari i NATO-së, Thomas Goffus. 

Ai fillimisht ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku ndër temat e diskutimit ka qenë edhe Ura e Ibrit, hapjen e së cilës e ka paralajmëruar kryeministrit Albin Kurti. 

Përmes një komunikate, në Presidencë thanë se në takim me zyrtarin e NATO-s, Osmani ka folur për rëndësinë e një plani të përbashkët për hapjen e Urës. 

“Ajo ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e Urës. Hapjen e Urës, e para e vendit e ka cilësuar si një veprim në funksion të normalizimit dhe integrimit në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë”, shkruan në komunikatën e Presidencës. “Ajo falënderoi NATO-n për angazhimin për paqe, siguri dhe stabilitet dhe në këtë kontekst ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit”. 

Gjermania dhe shtetet e tjera të QUINT-it i kanë kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Kurti për mungesë koordinimi sa i përket çështjes së Urës. Ato kanë kërkuar që kjo çështje të diskutohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. 

Ndërkaq Misioni i NATO-s në Kosovë ka paralajmëruar se nuk do të hezitojnë të ballafaqohen me këdo që cenon sigurinë në veri. 

Një ditë më herë kryeministri Kurti tha se janë duke i vijuar konsultimet me ndërkombëtarët për çështjen e Urës dhe të njëjtën kohë po i kryejnë “detyrat e shtëpisë” për hapjen e Urës. Ai përmendi se ende janë në pritje të raportit preliminar pas testimeve që kreu mbi Urën një kompani e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës.