Arbëri

Abdixhiku: RTK-ja e bllokuar si komunat e LDK-së, qeveria po vepron në mënyrë destruktive

Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka krahasuar situatën në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) me bllokimin financiar që, sipas tij, po u bëhet komunave të udhëhequra nga partia e tij nga ana e Qeverisë në detyrë.

Në një deklaratë pas dështimit të 51-të të konstituimit të Kuvendit, Abdixhiku iu përgjigj një pyetjeje nga gazetarja e RTK-së ku fillimisht pati kritika për qasjen e televizionit publik dhe ndërhyrjet politike në këtë institucion.

“Mendoj për një parti të cilën e keni mbështetur shumë ju si televizion, e keni duruar aq shumë kapje brenda institucionit, prapë padrejtësisht iu bë një veprim i tillë. Do të doja nga gazetarët mendimlirë të RTK-së, si shtyllë e madhe e medias së lirë, të kenë zë edhe tani, si dikur kur militantët vinin në krye të drejtorateve dhe bordeve”, ka thënë Abdixhiku.

Ai shtoi se krahas RTK-së, edhe komunat e udhëhequra nga LDK po përballen me “bllokada të qëllimshme” nga Qeveria në detyrë, duke përmendur konkretisht Prishtinën, Pejën dhe Fushë-Kosovën.

“A e dini që kryeqyteti është i bllokuar me vendim të Ministrisë së Financave dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti? A e dini se dje Pejës dhe Fushë-Kosovës iu bllokuan mjetet pa asnjë arsye?”, pyeti Abdixhiku, duke e quajtur këtë një “qasje destruktive që synon të bllokojë gjithçka”.

Në fund, ai u bëri thirrje gazetarëve që të ruajnë pavarësinë dhe guximin profesional.

“Keni pasur gazetarë që i kanë bërë ballë regjimeve, jeni më të guximshëm”, përfundoi kryetari i LDK-së.