Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e quajti të paaftë dhe të papërgjegjshme Qeverinë Kurti, pas rastit të foshnjës që pasi kishte lindur pa shenja jete, dyshohet se u fut në rrobalarësen e Spitalit të Pejës.
Ai shkroi të mërkurën mbrëma në Facebook se skandalet në spitale kanë adresë, derisa shtoi se derisa duhej të flitej për spitale të reja, pajisje, paga të larta e shërbime të denja, po flitet për mungesën e ministrit.
“As kaq pak s’mund të bëjnë! As kaq pak s’mund t’i japin shëndetësisë. Ndërsa, do të duhej të flisnim për spitale të reja, pajisje e barna më shumë, paga më të larta, shërbime më të denja e sigurime të shëndetësore për qytetarë që shpenzojnë qindra miliona euro jashtë vendit - ne jemi në pritje të një ministri pas 75 ditëve. Dhe as kaq pak s’mund të bëjnë; as edhe një ministër ta caktojnë”, deklaroi ai.