Kryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përsëritur sërish kërkesën e tij për qeveri uniteti, “mbi nevojën urgjente për të tejkaluar ngërçin politik”, derisa u shpreh se thirrja e tij u refuzua nga secili subjekt.
Deputeti Abdixhiku ka shtuar se do të përpiqet të ofrojë zgjidhje, para se të bëhet pjesë e bllokadës pa qëllim.
“Thirrja jonë e mbrëmshme për një Qeveri të Unitetit – për një dalje të përbashkët nga kriza – u refuzua impulsivisht sot në mëngjes. Jo me debat. Jo me kundërmendim, por me refuzim apriori. Në disa raste, edhe me ofendim – sikur nuk dinë të japin një mendim pa ofenduar”, është shprehur Abdixhiku në Facebook.
Sipas tij, pas refuzimit, u vazhdua me të “zakonshmen e pazakontë”.
“Me rehatinë e seancave që për përmbajtje kanë vetëm numrin rendor; e 30-ta me radhë pasnesër. Ky s’guxon të jetë normaliteti ynë i ri. Gjendja e tanishme është karikaturë politike”, ka shkruar ai.
Sipas tij, “në mungesë të një marrëveshje – nuk ka shumicë, në mungesë të një shumice – nuk ka zgjidhje dhe në mungesë të një zgjidhjeje – duhet marrëveshje politike. Pra kthehemi në fillim”.
“Qeverinë e Unitetit, atë kalimtaren, pra të tranzicionit, atë gjithëpërfshirësen, nuk e propozova për LDK-në. As për veten. E propozova sepse shteti është bllokuar. Sepse nuk ka Kuvend funksional. Sepse nuk ka Qeveri funksionale. Sepse nuk ka përfaqësim legjitim. Sepse, mbi të gjitha, nuk ka asgjë tjetër të sinqertë që po ndodhë në prapaskenë, që na dërgon drejt një përafrimi e një zgjidhje – çfarëdo qoftë ajo. Gjërat nuk ndryshojnë vetvetiu duke pritur. Andaj dhe do të vazhdojmë të ofrojmë zgjidhje. Do të vazhdojmë me prezantimin publik të Agjendës 15 pikëshe – një dokument që jep drejtim, kthjelltësi dhe qëllim vet unitetit; deri në zgjedhje të reja parlamentare. Si përmbushje e vakumit deri aty; si përmbajtje e vetme për dalje nga kriza”, ka shkruar Abdixhiku.