Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK-ja do “marrëveshje të madhe” me LVV-në

Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, i ka kthyer përgjigje kryetarit të Vetëvendosjes sa i përket çështjes së mbështetjes së kandidatëve që kjo parti ka propozuar për president. Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk ka votë për asnjërin prej tyre. Për çështjen e presidentit tha se pati takim me Hamzën, ndërsa u refuzua nga Haradinaj.

Tri pozitat shtetërore për një parti politike nuk është skenari që Lidhja Demokratike e mbështet.

Kjo është edhe përgjigjja e kryetarit të këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, që ia ktheu kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, katër ditë pas takimit që pati me të për çështjen e presidentit.

Abdixhiku tha të shtunën se nuk i është kërkuar e as nuk ka folur për ndonjë emër tjetër, pos dy të propozuarve të Vetëvendosjes për president, Glauk Konjufcës e Fatmire Kollçakut.

Ai theksoi se nuk është lakuar asnjë emër tjetër për president, e as i tij.

“Jo, s’ka gjasa të vetëpropozohem sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale. Pra duhet të flasim për parimet njëherë. Mos i ngatërroni. Nuk po flasim për akomodime individuale në këtë fazë. Aq më pak për një pozicion kaq të rëndësishëm shtetëror. Pra flasim për interesa ndërpartiake. Pra a ka mundësi që partitë të akomodohen rreth një marrëveshjeje shumë më të madhe. Në qoftë se jo, atëherë përgatitemi për zgjedhje të reja”, ka thënë Abdixhiku.

Edhe Abdixhiku: LDK-ja i ka 15 vota për propozimin e saj, Kurti s’po mundet pa PDK-në Arbëri 2 muaj më parë Abdixhiku: LDK-ja i ka 15 vota për propozimin e saj, Kurti s’po mundet pa PDK-në

Pos me Kurtin, Abdixhiku tha se është takuar edhe me kryetarin e PDK-së Bedri Hamzën, dhe bëri të ditur se e ka refuzuat ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Po jam takuar me zotërinë Hamza. Kam zhvilluar diskutime për të parë pozicionin e tyre. Zotëri Haradinaj ka pasur refuzim të takimit. Me thënë të drejtën është qëndrim i tyre që s’duan të takohen por mos të ankohen më pas. Sepse, takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore. Si duket zotëri Haradinaj e ka keqkuptuar mirësinë time për të pasur komunikim, po në qoftë se s’do me u taku, punë e madhe”, ka bërë të ditur ai.

AAK-ja deri së fundmi ka qenë e vetmja parti politike opozitare që ka kërkuar unifikimin e opozitës sa i përket çështjes së presidentit.

KOHA ka pyetur në AAK për arsyen e refuzimit të takimit por nuk ka pranuar përgjigje.

Edhe Vendi drejt zgjedhjeve, s’ka marrëveshje LVV-LDK për presidentin LAJMET E MBRËMJES 2 muaj më parë Vendi drejt zgjedhjeve, s’ka marrëveshje LVV-LDK për presidentin

Abdixhiku ka thënë se presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese, një që e bën mirë politikën e jashtme, punë për të cilën tha se Vjosa Osmani ka qenë kandidate e shkëlqyeshme.

Takime mes Kurtit dhe liderëve të LDK-së dhe PDK-së ka pasur edhe para 5 marsit, kur formalisht u propozuan dy kandidatë për president në seancën që dështoi për shkak të kuorumit. Një ditë më pas presidentja Vjosa Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Madje, ajo nuk vonoi shumë dhe të njëjtën ditë, më 6 mars, takoi drejtuesit e partive politike për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve. Në këtë takim nuk mori pjesë lideri i LVV-së, Albin Kurti. E pikërisht LVV-ja e dërgoi dekretin e Osmanit në Kushtetuese. Kjo instancë e shpalli dekretin e Osmanit jokushtetues dhe caktoi 28 prillin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit të ri. Nga 4 prilli kur përfundoi mandati pesëvjeçar i Osmanit, postin e presidentit është duke e ushtruar kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.