Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nga aktiviteti “LDK ju dëgjon” i mbajtur të enjten në Podujevë, e ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se është e paaftë, që po ngecë në çdo fushë, si në ekonomi, arsim, shëndetësi, energji, por edhe në investime.
Sipas Abdixhikut, në vend se të jepet zgjidhje, nga kjo qeveri po prodhohet krizë, kërcënime dhe mungesë e realizimit të projekteve.
“Kjo Qeveri tashmë ka dështuar. Në vetëm 18 muaj ata u treguan të paaftë për të menaxhuar vendin, e aq më pak për të përballuar krizën e rëndë. Mbi të gjitha shohim arrogancë, sjellje jodemokratike dhe mosrespektim të debatit publik. Kurti po ikën nga problemet dhe largohet nga vendi në mes të një krize sepse nuk mund t'a zgjidhë atë. Faktet janë fakte. Shëndeti është një katastrofë në vetvete, ekonomia është në rënie, me vetëm 9% shpenzimet kapitale të qeverisë janë në nivelin më të ulët ndonjëherë. Papunësia mbetet aty ku ishte 18 muaj më parë dhe për 18 muaj humbëm dhjetëra mijëra punëtorë. Për më tepër, ne jemi i vetmi vend në Evropë që nuk e kemi nisur procesin arsimor këtë vit. Kosova është i vetmi vend që ka pasur ndërprerje të energjisë gjatë verës për shkak se Qeveria nuk ka arritur të mirëmbajë me kohë kapacitetet prodhuese. Një dështim masiv”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka deklaruar se partia që e drejton i ka propozuar Qeverisë veprime konkrete për përballim të krizës, por ekzekutivi ka refuzuar t’i marrë parasysh këshillat.
“Ne besojmë se si parti e përgjegjshme është detyra jonë të kontribuojmë dhe ndihmojmë qytetarët kur është e nevojshme, por edhe të ndihmojmë Qeverinë, e cila padyshim që nuk ka kapacitet për të menaxhuar vetë problemet. Natyrisht, si për çdo gjë tjetër, qeveria më parë zgjedh rrugën e dështimit se sa të pranojë këshilla. Ky nivel i ulët i kulturës politike të kësaj Qeverie po e vështirëson edhe më shumë ekonominë e Kosovës dhe qytetarëve”, ka shtuar ai.
-
Abdixhiku: Shteti është bllokuar
-
Abdixhiku: Qeveria mashtroi, varfëroi dhe izoloi një popull të tërë
-
Abdixhiku: Kosova ka ngecur me Kurtin, ai dhe qeveria e tij s’e kuptojnë ekonominë
-
Abdixhiku kërkon dorëheqjen e Kurtit: Ka dështuar në të gjitha fushat
-
Abdixhiku: 3 vjet dështim të Qeverisë, pa projekte madhore e forcim të shtetësisë