Duke lavdëruar zgjedhjen e Pëllumb Bajqinovcit, kryekuvendar të Prishtinës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Bajqinovci hyn në kuadrot e asaj që tashmë po quhet si “Rruga e re e LDK-së”. Kjo rrugë sipas Abdixhikut është rrugë “larg pazareve e interesave të ngushta, larg polarizimeve, larg ngecjes”.
Duke përgëzuar zgjedhjen e Bajqinovcit, Abdixhiku iu kthye edhe një herë temës së “Rrugës së re”, apo asaj që njihet edhe si “Rruga pa Kurtin”.
“Pellumb Bajqinovci, asambleist i LDK-së, është zgjedhur sot Kryesues i ri i Kuvendit Komunal të Prishtinës. Për këtë falënderoj të 26 këshilltarët komunal që Kryeqytetit po i japin përfaqësimin e denjë. Përveç se profesionist, përafrues e me plot interes për qytetin e tij e tonin, Pëllumbi është dhe veprimtar e bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm në familjen tonë politike. E prita sot me plot kënaqësi. Dhe pikërisht me kuadro të tilla, ‘Rruga e re’ e Lidhjes do të bëjë të ardhmen e Republikës. Larg pazareve e interesave të ngushta, larg polarizimeve, larg ngecjes”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Në kuadër të kësaj “rruge”, LDK-ja ka nisur takime me akterë të shoqërisë, gazetarë, organizata joqeveritare e anëtarë, akademikë e diplomatë. Në paralajmërimin e parë për këtë seri takimesh, kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, pati thënë se “Kosova ka nevojë për rrugë të re”, e sipas tij “në atë rrugë s’ka (kryeministër) Albin Kurti”.
Një ditë më parë, Visar Azemi nga kjo parti u shpreh në “Interaktiv” të KTV-së se LDK-ja do ta prezantojë një program qeverisës pas pushimeve të verës. Sipas tij, kjo rrugë është “rrugë identitare e LDK-së për ta hequr Kosovën nga dy rrugë”. Sipas tij, këto dy rrugë janë “ajo e izolimit të Kurtit” dhe “e skandaleve të autostradave e blerjes së tokave me centa dhe hajnive të ndryshme që kanë ndodhur me qeveritë e kaluara”.