Qeveri të paaftë, tallëse dhe të vonuar e ka cilësuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Qeverinë Kurti për mënyrën se si po e menaxhon krizën me rrymë.
Në kohën kur shteti po kërkon kursim të energjisë elektrike për shkak të shtrenjtimit enorm të çmimit të importut e në anën tjetër është ndalur edhe ngrohtorja e Termokosit në Prishtinë për shkak të telasheve me KEK-un, Abdixhiku ka thënë se Qeveria ka qenë e paralajmëruar për këtë krizë.
“Kriza e sotme energjetike është paralajmëruar tash e pesë muaj. Në mot të ngrohtë, institucionet energjetike, ekspertët e brendshëm e të jashtëm pa dallim, kishin rekomanduar kontraktimin e energjisë elektrike përderisa çmimet ishin të lira; pesëfish më të lira se sa çfarë blejmë si shtet sot. Në atë kohë rekomandoheshin dhe revitalizimet e blloqeve, subvencionimet e operatorëve, organizmi i prodhimit e planet kursyese si parapërgatitje për dimrin e ftohtë. Këto paralajmërime nuk ishin dëgjuar. Në kohën kur vendet e rajonit bënin garë për blerjen e energjisë elektrike me çmim më të lirë, Kryeministri ynë krekosej nëpër qendra rajonale e evropiane me narracione fiktive për zhvillimin të pashembullt ekononomik që Kosova me të po e përjetonte. Sot, zhvillimi i pashembullt ekonomik i tij është pa rrymë!”, ka shkruar Abdixhiku në një shkrim në Facebook.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti do t’i fajësojë qytetarët për problemet me rrymë.
“Për paaftësinë e tyre do të fajësohen qytetarët tanë. Për shpenzimin e energjisë në “joystick”, “larje të dhëmbëve me ujë të ngrohtë”, e për vet çmimin e lirë të energjisë. Tani edhe çmimi i energjisë na u bë i lirë. Kjo parahyrje e tyre është paralajmërim për shtrenjtimin e radhës që do t’i bëjnë. Por as shtrenjtimi i rrymës e as rekomandimet tallëse për kursim nuk do ta kapërcejnë ketë krizë që sapo ka nisë. Sepse reagimi është i vonshëm. Sepse s’dinë!” ka thënë ai.
Sipas tij, Qeveria Kurti “e ka praktikë të zakonshme paaftësinë për t’u paraprirë problemeve me kohë”.
Edhe
Abdixhiku: Po shohim arrogancë e sjellje jodemokratike nga Qeveria
“Kjo Qeveri, e aftë për të krijuar konflikte, është e paaftë për të krijuar zgjidhje. Qeverisja para së gjithash është menaxhim dhe përgjegjësi. Gjuetia e fajësimit ndaj të shkuarës as nuk i mbanë dritat e ndezura as shtëpitë familjare të ngrohura”, ka përfunduar ai.
Ka një kohë që vendi është futur në krizë energjetike për shkak të shtrenjtimit të rrymës që importohet. Në disa raste ka pasur reduktime të rrymës e është paralajmëruar edhe shtrenjtimi i faturave. Ka pasur edhe probleme në KEK, që ka thelluar krizën dje dhe sot.