Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abdixhiku: Mbi 320 mijë fëmijë rrinë në shtëpi, kryeministri shkon në Japoni

Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova ka nevojë për vëmendje e udhëheqje të matur politike.

Abdixhiu përmes një postimi në Facebook, të martën, ka kritikuar shkuarjen e kryeministrit, Albin Kurti në Japoni në kohën kur nxënësit kanë mbetur në shtëpi, duke e cilësuar këtë si paaftësi dhe papërgjegjësi.

Kurti ka shkuar në Japoni për pjesëmarrje në varrimin e ish-kryeministrit Shinzo Abe.

“Mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim - rrinë në shtëpi - por Kryeministri i Kosovës zgjedhë të largohet për në Japoni. Paaftësi dhe papërgjegjësi! Ky njeri nuk di të qeverisë! Asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë. Asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq pandjeshmëri. Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vet shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë? Kosova ka nevojë për vëmendje e udhëheqje të matur politike. Kosova ka nevojë për lidership që jep zgjidhje, menaxhon kriza e përgatitë vendin për betejat e madha përpara - në energjetike, inflacion, shëndetësi e ekonomi. Ikja nga këto ballafaqime është veç papërgjegjësi”, ka shkruar Abdixhiku.

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht. Që atëherë shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të mosarritjes së ndonjë marrëveshjeje midis Këshillit Grevist dhe Qeverisë së Kosovës.

Punonjësit e sektorit publik po kërkojnë ndër të tjera 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit për Paga, derisa Qeveria ua ka ofruar 50 euro shtesë deri në fund të këtij viti fiskal.