Arbëri

Abazi: Pushteti deshi përplasje fizike mes meje e Zybës

Haki Abazi

Deputeti Haki Abazi ka akuzuar Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje se kanë dashur që të orkestrojnë një përplasje mes tij dhe deputetit Sali Zyba.

Në një status në Facebook, Abazi ka shkruar se në seancën e sotme të Kuvendit, Grupi i partisë në pushtet ka urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që të ia zë vendin.

“Incidenti i radhës që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Kur shkova te ulësja në kuvend, me urdhër të Kurtit dhe pa paralajmërim, nga Çadra e Gadafit, kishin urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që të ulet në vendin tim, duke e hequr kartelën time nga aparati , dhe afër tij kishin zhvendosur Sali Zybën. Kaq fuqi kanë, kaq dije kanë dhe me këto gjëra merren, kush ku ulet dhe me kënd flet. Turp Krejt dhe Drejt!”, ka shkruar Abazi.

Sipas tij ata kanë dashur që të prodhojnë një skandal e përplasje mes tij dhe Zybës, siç ka thënë “për të mbuluar dështimin në Bruksel”.

“Si duket për të mbuluar dështimin në Bruksel të një rezultati negativ që ka orientuar procesin drejt ose kompromisit që e dështon rendin kushtetues të vendit ose e izolon Kosovën nga perëndimi, deshën sot në Kuvendin e Kosovës të orkestrojnë një skandal e përplasje fizike me Sali Zybën. Asnjë kuptim tjetër nuk kishte prezenca e përforcuar e Zybës. Ky mentalitet politik i Kurtit është dëshpërues dhe veprim fëmijësh”, ka shkruar Abazi.

Ai ka thënë se do të se pavarësisht se ku ulet, ai është betuar se do ta thotë të vërtetën për të mbrojtur interesin publik.

“Nuk ka rëndësi ku ulem, në cilën pjesë të parlamentit apo në cilin kapacitet do të flas, unë jam betuar për të thënë të vërteten dhe për të mbrojtur interesin publik të vendit tim. Albini nuk na paska kenë ndryshimi, Albini është vazhdimi”, ka shkruar Abazi.

Lidhur me këto akuza Koha ka kërkuar një përgjigje nga shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka thënë se nuk do t’i komentojë akuzat e Abazit.

Sipas saj ajo që ka ndodhur në Kuvend është se Lëvizja Vetëvendosje ka votuar unanimisht përjashtimin e Abazit nga Grupi Parlamentar dhe për këtë arsye atij duhet t’i ndërrohet vendi në Kuvend.

Lidhur me këtë ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do të dërgojë një njoftim zyrtar.

Abazi në seancën e mbajtur më 26 prill të këtij viti kishte pasur një debat me deputetin Zyba.

Abazi në atë seancë ka akuzuar Grupin Parlamentar të partisë së tij se nuk po e lejojnë të marrë fjalën në Kuvend.

“Duhet të jetë hera e fundit që tentohet të ngufatet demokracia në Kuvendin e Kosovës. Nuk duhet si deputet i barabartë që të protestoj sa herë që dua të them diçka në këtë vend, pavarësisht prej qëndrimit që kam. Kështu që, këtë parlament e udhëheq Glauk Konjufca dhe jo Dejona Mihali. Nuk përcaktohet lista e deputetëve nga jashtë Parlamentit të Kosovës”, tha ai.

Atij i ka reaguar Zyba. “Ne kemi mundur t’i ndanim rrugët, por rrugën nuk mundemi me ia ndaluar njëri-tjetrit. Prandaj në këtë moment sa po flet zotëri Abazi, ani pse disa çështje mundet m’i pasë të drejta, këtu ka një heshtje të plotë të subjekteve opozitare. Referuar deklarimit të Ferat Shalës se Kamishi me pica mundet me dërgu apo liru prej burgu dikë, unë e kam një pyetje mos ke provu me kërku picën e PDK-së”, tha ai.

Ndërkaq Abazi iu përgjigj se: “Kur të vjen puna me ngrënë pica të PDK-së, shihemi tjetërkund”.

“Por, po e them me shumë qartësi, zotëri Zyba, mos luaj me fjalë të kota... fakti që zotëri Muja ka qenë në burg dhe fakti që zonja Kusari ka qenë pjesë e ministrive që kanë privatizu Distribucionin e Kosovës janë fakte shumë kokëforta dhe nuk mundesh me i fshi, as me picë dhe as me asgjë”, u shpreh Abazi.