Deputeti Haki Abazi, që mandatin e ka siguruar si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje e tash qëndron si i pavarur, ka akuzuar ish-partinë ku bënte pjesë se po do ta humbë vëmendjen nga skandali me Milan Radojçiqin duke përmendur organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Kuvendi i Kosovës sot nisi sesionin vjeshtor. Deputeti i mazhorancës, Ardian Gola, e nisi seancën duke u lavdëruar për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, të drejtë të cilën Kosova e fitoi javën e kaluar. Kjo nuk i pëlqeu Abazit.
“Kur del partia në pozitë me fol për Lojërat Mesdhetare, krejt çka po do me bo është me hup vëmendjen nga Radojçiqi. Keni koordinim me Radojçiqin. Erdhi Lista Serbe, u nënshkrua dhe doli, e ju nuk guxuat me bë zë”, ka thënë Abazi, duke mbajtur në dorë letra me foton e Radojçiqit me kryeministrin Albin Kurti dhe shefen e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e ku shkruhej “Zdravo”.
Abazi pati një sërë kritikash për partinë në pushtet, duke i akuzuar se nuk po bëjnë asgjë.
Disa përgjime të publikuara nga “Nacionale” më herët treguan Kusari-Lilën duke biseduar me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq. Kjo nxiti reagime të mëdha në opinion, veçanërisht nga opozita.
