LAJMET E MBRËMJES

Vetëvendosja përjashton Haki Abazin

Haki Abazi nuk është më pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Ai është përjashtuar me vendim të partisë. Abazi ka hedhur kritika të shumta ndaj shefes së deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ndërkohë tha se vendimi u mor për të shpërqendruar vëmendjen nga dështimi në takimin e djeshëm në Bruksel. Në seancën e së mërkurës pati edhe ankesa për gjuhë joparlamentare

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka vendosur të mërkurën që ta përjashtojë deputetin Haki Abazi.

Kryetarja e grupit, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë për KOHËN se është vendosur unanimisht për përjashtimin e Abazit, dhe si rrjedhojë atij i ndërrohet edhe ulësja në Kuvendin e Kosovës.

Kusari-Lila ka shtuar se Abazi është njoftuar për largimin e tij.

Në shkresën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Grupi parlamentar ka njoftuar se “deputeti Haki Abazi nuk është më pjesë e grupit tonë parlamentar”.

Ndërkaq deputeti Abazi deklaroi se nuk është i informuar se është përjashtuar.

Ai i tha KOHËS se s’është në dijeni se kush e ka marrë vendimin.

“Nuk e kam parë vendimin. Nuk e di kush e ka marrë këtë vendim. Sa të informohem do të njoftoj”, deklaroi ai.

Deputeti Abazi ka akuzuar Grupi Parlamentar të LVV-së se ka dashur që të orkestrojnë një përplasje mes tij dhe deputetit Sali Zyba.

Në një status në Facebook, Abazi ka shkruar se në seancën e së mërkurën të Kuvendit, Grupi i partisë në pushtet ka urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që t’ia zërë vendin atij.

“Kur shkova te ulësja në Kuvend, me urdhër të Kurtit dhe pa paralajmërim, nga Çadra e Gadafit, kishin urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që të ulet në vendin tim, duke e hequr kartelën time nga aparati, dhe afër tij kishin zhvendosur Sali Zybën. Kaq fuqi kanë, kaq dije kanë dhe me këto gjëra merren, kush ku ulet dhe me kënd flet. Turp Krejt dhe Drejt!”, ka shkruar Abazi,

Sipas tij, anëtarët e grupit parlamentar kanë dashur që të prodhojnë një skandal e përplasje mes tij dhe Zybës, siç ka thënë “për të mbuluar dështimin në Bruksel”.

“Si duket për të mbuluar dështimin në Bruksel të një rezultati negativ që ka orientuar procesin drejt ose kompromisit që e dështon rendin kushtetues të vendit ose e izolon Kosovën nga Perëndimi, deshën sot në Kuvendin e Kosovës të orkestrojnë një skandal e përplasje fizike me Sali Zybën. Asnjë kuptim tjetër nuk kishte prezenca e përforcuar e Zybës. Ky mentalitet politik i Kurtit është dëshpërues dhe veprim fëmijësh”, ka shkruar Abazi.

Por shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ajo që ka ndodhur në Kuvend është se Lëvizja Vetëvendosje ka votuar unanimisht përjashtimin e Abazit nga Grupi parlamentar dhe për këtë arsye atij duhet t’i ndërrohet vendi në Kuvend.

Në seancën e mbajtur më 26 prill të këtij viti, Abazi ka debatuar me deputetin Zyba. Aty ka akuzuar Grupin parlamentar të partisë së tij se nuk po e lejon ta marrë fjalën në Kuvend.

E, në muajin shkurt Abazi është larguar nga pozita e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, me rekomandim të partisë që i përket.

Vendimet janë marrë pas ftohjes së raporteve të tij me strukturat partiake dhe me pakënaqësitë që ka shprehur në raport me shefen e Grupit parlamentar, por edhe me kryeministrin Albin Kurti, i cili e drejton LVV-në.