LAJMET E MBRËMJES

Bllokohet vendimmarrja në Kuvend

Në seancën e Kuvendit me shumë polemika ka munguar vendimmarrja. Deputetët opozitarë thanë se nuk do të votojnë as marrëveshje ndërkombëtare pa i zhbllokuar Ministria e Financave të hyrat vetjake të komunave

Pjesa më e madhe e deputetëve opozitarë kanë vënë kusht për të votuar në Kuvend çfarëdo ligji, përfshirë edhe traktatet ndërkombëtare.

Kushti është shpërfaqur kur në rend dite të seancës të së enjtes është vënë marrëveshja me Ambasadën e Francës për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master.

Ajo nuk arriti as të dilte në votim, meqë ligjvënës opozitarë thanë se nuk do të votojnë pa i zhbllokuar Ministria e Financave të hyrat vetjake të komunave, që u kanë tepruar nga viti paraprak.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se problemi është krijuar nga vetë Lidhja Demokratike në opozitë, e cila e ka hartuar amendamentin në Ligjin e buxhetit.

“As që bëhet fjalë për bllokim të fondeve të komunave. Çka është problemi, është një amendament i Grupit parlamentar të LDK-së, për të cilin kam sqaruar se nëse kërkohet nga ju që unë ta korrigjoj si ministër atë gabim që e keni bërë ju, unë e bëj”, ka deklaruar Murati.

Por shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se gabimet duhet t’i korrigjojë vetë ministri, i cili, sipas tij, është duke vepruar në kundërshtim me Ligjin.

“E vërteta është që t’i zotëri ke dashur t’i marrësh të hyrat vetjake të komunave që t’i menaxhosh prej Qeverisë. Kjo nuk mund të ndodhë. Pikë. Ne këtë e kemi ndaluar. Çështjet e tjera se si të funksion ty ligji, ai është obligim i yti. Ti je i detyruar ta rregullosh”, është shprehur Gashi.

Këtë kushtëzim e kanë shprehur edhe ligjëvënës të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilët i bënë thirrje pushtetit të gjejë zgjidhje.

“A jeni duke e parë që kjo qasje është kah e dëmton në esencë konsensusin politik për marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje të tjera”, ka thënë Besnik Tahiri, shef i Grupit parlamentar të AAK-së.

Zgjidhje kërkoi edhe kryetarja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, duke e siguruar opozitën se do t’i kenë në dispozicion votat e deputetëve që përfaqësojnë shumicën parlamentare, kurdo që iniciohet ndryshimi i normës kontestuese të buxhetit.

“Këmbëngulja, barrikadimi në pozicione ose shtyrja në bllokadë të mëtutjeshme të Kuvendit për marrëveshje ndërkombëtare, nuk i bën nder askujt”, ka thënë Kusari Lila.

Në seancën që zgjati disa orë nuk u arrit të miratohej asnjë nga projektligjet që ishin në rend dite. Ndërkaq, Kuvendi vendosi që për nënkryetar të këtij institucioni nga radhët e komuniteteve ta zgjedhë Bahrim Shabanin, në vend të ish-nënkryetarit Bekim Arifi.

Zhvendoset Abazi

Një ditë pasi u përjashtua nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Haki Abazi ka ndërruar karrige në sallën plenare. Ai u vendos në rreshtin e fundit të sallës, atje ku është ulur ish-bashkëpartiaku i tij Fatmir Humolli, i cili, po ashtu, e la LVV-në rreth një muaj më parë.

Të mërkurën, deputeti Abazi ka akuzuar Grupin parlamentar të LVV-së se ka dashur që të orkestrojnë një përplasje mes tij dhe deputetit Sali Zyba. Në një status në Facebook, ai shkroi se në seancë Grupi i partisë në pushtet ka urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që t’ia zërë vendin ku ulej deri atë ditë.

“Kur shkova te ulësja në Kuvend, me urdhër të Kurtit dhe pa paralajmërim, nga Çadra e Gadafit, kishin urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që të ulet në vendin tim, duke e hequr kartelën time nga aparati, dhe afër tij kishin zhvendosur Sali Zybën. Kaq fuqi kanë, kaq dije kanë dhe me këto gjëra merren, kush ku ulet dhe me kënd flet”, ka shkruar Abazi.

Në muajin shkurt Abazi është larguar nga pozita e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, me rekomandim të partisë që i përket.

Vendimet janë marrë pas ftohjes së raporteve të tij me strukturat partiake dhe me pakënaqësitë që ka shprehur në raport me shefen e Grupit parlamentar, por edhe me kryeministrin Albin Kurti, i cili e drejton LVV-në.