Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AAK: Ministria e Shëndetësisë në qeverisjen Kurti, ministri e eksperimenteve

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka thënë se shteti i Kosovës ka një qeverisje ad-hoc dhe pa strategji e prioritete në sektorin e shëndetësisë.

Përveç kësaj, ai ka theksuar se asnjë dikaster i Qeverisë nuk mund të merret si mostër për qeverisje të mirë.

Ai në një konferencë për media të mbajtur të martën, ka dhënë disa argumente që sipas tij tregojnë gjendjen e keqe në sektorin e shëndetësisë.

“E para, Ministria e Shëndetësisë në qeverisjen Kurti ka qenë ministri e eksperimenteve, u ndërruan ministrat, u ndërruan shefat e departamenteve e kishte raste kur këto pozita mbeten bosh për muaj të tërë. Shëndetësia nuk menaxhohet me ushtrues të detyrave dhe persona të papërvojë. E dyta, pakënaqësitë ishin të shumta, dje mjekët specializantë të cilat janë forca shtytëse e sistemit shëndetësor se bashku me administratën protestuan për padrejtësitë që iu bënë me Ligjin e ri të pagave, është pengues në organizmin e punës dhe diskriminuese mospagesa e kujdestarive dhe shtesat për rrezikshmëri”, ka theksuar Dreshaj.

Ai ka thënë se është mëkat që qytetarët po përballen me probleme nga më të ndryshmet.

Edhe AAK: Qeveria Kurti, qeveri e eksperimenteve Arbëri AAK: Qeveria Kurti, qeveri e eksperimenteve

“Kemi mungesë infrastrukture, kemi mungesë të barnave, mungesë të fashave, ku qytetarët detyrohen të kërkojnë edhe lëmoshë për t’i siguruar këto pajisje, kemi listë të pritjes në Qendrën Klinike Universitare, madje më shumë se një vit”, është shprehur Dreshaj.

Ai ka thënë se listat e pritjes duhet të zvogëlohen dhe që barnat e listës esenciale të sigurohen.