Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për sistemin e shëndetësisë.
Ai ka thënë se Kosova është i vetmi shtet në rajon dhe Evropë pa sigurime shëndetësore.
Dreshaj në një konferencë për media të mbajtur të martën ka thënë se përkundër dyfishimit të buxhetit për këtë sektor, problemet po mbesin të njëjta dhe se po shtohen dita ditës.
"Shëndetësia sot me buxhet të dyfishuar vazhdon me probleme të njëjta dhe të cilat po shtohen disa ditës. Thuajse nuk ka ditë që nuk jemi në media për probleme, dështime e skandale nga më të ndryshmet. Premtimet e dhëna lidhur me shërbime cilësore në shëndetësi ende vazhdojnë, ndërsa ende vazhdojnë problemet e vjetra si ikja e personelit profesional shëndetësor, lista e barnave esenciale me probleme të njëjta, lista e pritjes në rritje e sipër, si në aspektin diagnostik dhe terapeutik, si për shembull në Ortopedi ka pacientë që për protezë të gjurit presin deri në 4 vjet", ka thënë Dreshaj.
Ai ka thënë ka kritikuar mazhorancën për mosmiratim të Ligjit për shëndetësi, Ligji për sigurime shëndetësore e Ligjit për sigurimet sociale, që sipas tij janë shtylla të shëndetësisë.
"Shëndetësia është keq. Intervenimet duhet të jenë urgjente dhe të drejta. Qëllimi i kësaj konference është ftesë për mediat, shoqërinë civile, partitë politike në pozitë e opozitë, intelektualët dhe strukturat tjera vendore me influencë që të mos heshtin, të mos rrinë duar kryq por të mobilizohen dhe të kërkojnë urgjentisht veprime. Ky është shtet i yni", ka thënë Dreshaj.