Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se kur Ramush Haradinaj kishte marrë postin e kryeministrit në shtator të vitit 2017, mallërat nga Serbia kishin pushtuar tregun e Kosovës.
Por në reagimin e Aleancës thuhet se brenda një vit e pak qeverisje ishte zbritur importi nga Serbia në 4.5 milionë euro.
Reagimi i AAK-së ka qenë i adresuar ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja.
“Është e vërtetë që kur Ramush Haradinaj ka ardhur në krye të Qeverisë, edhe atë në shtator të vitit 2017, mallrat e Serbisë e kishin pushtuar tregun e Kosovës. Por është edhe një e vërtetë tjetër që nën udhëheqjen e Haradinajt, Kosova është çliruar nga produktet e Serbisë dhe importi për një vit e pak të qeverisjes së tij ka zbritur në 4.5 milionë. Ky është një fakt që nuk do të duhej t’i shpëtonte “mjeshtrit të shifrave”, deputetit Armend Muja, apo kujtdo tjetër. Populli thotë, ‘nëse është hangër pitja, tepsia ka mbet!’ Aty shihet se si brenda një kohe të shkurtër kurba e importeve nga Serbia, me hapa të shpejtë po kthehet atje ku ka qenë. Nga 4 milionë e pak në 300 milionë e sa! Deputeti Muja, por edhe eksponentë të tjerë të kësaj mazhorance, është mirë ta shpjegojnë këto grafikone të të dhënave zyrtare të importeve nga Serbia, e jo të fshihen pas veprimeve të mbrapshta të qeverive dikur”, thuhet në reagim të AAK-së.
Po ashtu AAK-ja ka kritikuar krahasimin e importeve në fushën e energjisë që është bërë.
“Krahasimi i importit të energjisë, është dashakeq, sepse në kohën kur Haradinaj e ka marrë drejtimin i Qeverisë, prodhimi në KEK pothuajse ka qenë zero. Ka qenë mafia energjetike që e kishte bllokuar prodhimin në KEK dhe ka qenë pikërisht Kryeministri Haradinaj që e ka rikthyer prodhimin dhe për më tepër e ka arritur edhe pavarësimin energjetik të Kosovës”, thuhet nga AAK.
