Arbëri

Muja i përgjigjet Haradinajt për çështjen e importeve nga Serbia

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i është kundërpërgjigjur atij nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi e kritikoi Qeverinë Kurti për importin e lartë të mallrave nga Serbia.

“Në qeverinë time Serbia mundi që për një vit t’i shesë 4 milionë euro produkte të vetat edhe atë duke paguar taksë 100%. Në qeverinë e Kurtit kjo shifër vetëm për vitin 2021 ka mbërritur në mbi 300 milionë”, ka shkruar Haradinaj të shtunën në Facebook duke e quajtur “reciprocitet mashtrues të Albin Kurtit”.

Megjithatë, në një kundërpërgjigje, deputeti Muja ka thënë se publikimi i Haradinajt “në rastin më të mirë tregon mungesë të njohurive për ekonominë dhe numrat”.

Ai ka thënë se rekordi i importeve nga Serbia ishte regjistruar në vitin 2017, në kohën e koalicionit PAN kur Haradinaj ishte kryeministër me 449 milionë euro, apo 15 për qind të të gjitha importeve të Kosovës.

“Rreth 55 milion i importeve nga Serbia në vitin 2017 ishin energji elektrike”, ka shkruar Muja.

Ai ka thënë se në vitin 2021, partneri kryesor rajonal në shkëmbim tregtar për Kosovën është Shqipëria.

“Blerjet nga Serbia kanë rënë në 6.5% të vlerës së përgjithshme të importit të Kosovës. Nevojat për energji elektrike të Kosovës nuk mbulohen më nga Serbia si në kohen e PAN (55 milion euro ne vit) por nga Shqipëria, Danimarka dhe Maqedonia”, ka shtuar ai.

Image