Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do ta përkrahë njërin nga kandidatët për kryetar të Podujevës, të LDK-së apo VV-së në rrethin e dytë të votimit që do të mbahet më 14 nëntor.
Këtë vendim, sipas zyrtarëve të AAK-së do ta marrin brenda dy ditësh.
Ndërkohë, zyrtarët e PDK-së në Podujevë nuk janë përgjigjur rreth kësaj çështjeje.
Në balotazh do të ballafaqohen sërish kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni i cili në raundin e parë ka marrë 16 mijë e 925 vota ose 44.20 për qind dhe Shpejtim Bulliqi nga LVV i cili ka vetëm 18 vota më pak - 16 mijë e 907 ose 44.16 për qind.
Gjatë deklarimeve publike, deri tash asnjëri nga kandidatët nuk ka dhënë sinjal se do të bëjnë koalicion para balotazhit me partitë që nuk kanë kaluar në rrethin e dytë të votimit. Edhe kryetarja e Degës së AAK-së në Podujevë, Mrikë Thaçi, ka thënë se deri tash nuk kanë pasur asnjë ofertë nga partitë që janë në garë në balotazh.
“Deri më tani ne si degë nuk kemi ndonjë ofertë prej asnjërës parti dhe ende nuk kemi marrë asnjë vendim se cilin kandidat do ta mbështesim në këtë balotazh. Besoj që brenda dy ditëve do të vendosim se cili do të jetë qëndrimi ynë në konsultim edhe me z.Besnik Tahiri”, ka theksuar Mrikë Thaçi.
KOHA ka kontaktuar edhe ish-kandidaten e PDK-së për kryetare të Podujevës, Floretë Zejnulahu, dhe ia ka përcjellë pyetjet edhe me shkrim, por as nuk ka kthyer përgjigje e as nuk e ka hapur telefonin. PDK në Podujevë është ende pa kryetar dege, pasi ish-kryetari Naim Fetahu kishte dhënë dorëheqje pas rezultatit jo të mirë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës në vitin e kaluar.