Të dielën në Kosovë mbahen zgjedhjet lokale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përgatitjet e zakonshme për zgjedhjet edhe këtë herë, edhe ato bazuar në masat anti-COVID.
Valmir Elezi, zëdhënësi në KQZ, në emisionin SOT ka thënë se të shtunën shpërndahet materiali zgjedhor për t’u bërë gati që të dielën në mëngjes të jetë në qendrat e votimit në vend.
“Gjatë të shtunës do të bëjmë shpërndarjen e materialit zgjedhor edhe të fletëvotimeve nga depoja qendrore e KQZ për nëpër të gjitha komunat. Të dielën në mëngjes nga këto depo të komisioneve komunale, materiali zgjedhor të shpërndahet në të gjitha qendrat e votimit”.
Votuesve nuk do t’u kërkohet dëshmia se janë vaksinuar apo testet për COVID-19. Por, masa të tilla do të ketë për vëzhguesit dhe stafin zgjedhor. Këta do të jenë të detyruar që mbikëqyrjen e procesit zgjedhor ta bëjnë duke ofruar një nga dëshmitë.
Në Kosovë janë 924 raste aktive me koronavirus. Te këta qytetarë, KQZ-ja është përkujdesur që të dërgojë ekipet mobile ku ata mund të votojnë nga shtëpia apo vendi ku po qëndrojnë të izoluar.
“Në ditën e zgjedhjeve KQZ do angazhojë ekipet mobile që o jenë prezent në adresat e qytetarëve të infektuar. Do jenë 87 ekipe mobile me 348 anëtarë që janë të emëruar të lëvizin nëpër të gjitha komunat”, ka thënë Elezi.
Edhe
Kosova voton për udhëheqësit e komunave
Elezi ka thënë se për periudhën sa ishte i hapur regjistrimi i votuesve me postë, janë regjistruar mbi 15 mijë persona.
Nga nesër, zyrtarisht do të fillojë heshtja zgjedhore e cila deri të dielën në orën 7:00 do të vazhdojë. Nga 7:00 e mëngjesit të së dielës do të hapen vendvotimet nëpër komunat e Kosovës.