Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

70 për qind e vushtrriasve janë vaksinuar me të dy dozat anti-COVID

Rreth 70 për qind të personave nga komuna e Vushtrrisë janë vaksinuar të paktën me dy doza anti-COVID, ka thënë menaxheri i qendrave të vaksinimit të kësaj komune, Hasan Rama.

Rama ka thënë se në këtë fillimvit ka filluar të rritet frekuentimi i njerëzve që dëshirojnë të vaksinohen, kryesisht me dozën e tretë.

“Ne këtu si ekip jemi organizuar në dy qendra për vaksinim. Ka filluar të rritet frekuentimi i njerëzve për vaksinim, ku dominon doza e tretë. Deri më 31.12.2021, në Vushtrri janë dhënë 68.878 doza, ndërsa deri më tani janë dhënë 2.500 doza. Dominon doza e dytë dhe e tretë, ka edhe ata që marrin dozën e parë, kryesisht të rinjtë që janë bindur se vaksina është arma e vetme kundër COVID-19. Gjendja klinike e pacientëve është përgjithësisht mirë. Jemi në rrugë të mbarë që të rrumbullaksohet kjo pandemi, mirëpo vaksinimi duhet të jetë në prioritet për t’i zvogëluar pasojat e COVID-19. Doza e tretë dominohet nga personat mbi 55 vjeç, të cilët janë mësuar t’i respektojnë institucionet. Edhe rritja e numrit të infektuarve është një faktor. Në perceptimin tim, 70 për qind e njerëzve në Vushtrri janë vaksinuar me të dy dozat”, ka thënë ai në emisionin “SOT” të KTV-së.