Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MSH-ja nuk e sheh alarmuese rritjen e lehtë të rasteve me COVID-19

15 raste pozitive me COVID-19 janë shënuar të dielën nga testimi i 249 mostrave. Nga 48 raste aktive sa ishin të dielën e 12 qershorit, numri i tyre ka arritur në 106 të dielën e 19 qershorit. Mjekët insistojnë se vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur. Sipas të dhënave të Ministrisë, deri tani vetëm 8 për qind e grupmoshave mbi 18 vjet janë vaksinuar me të tri dozat

Rritje e lehtë e numrit të rasteve me COVID-19 është shënuar gjatë javës që shkoi. 108 persona u prekën me këtë virus që nga e hëna.

Nga 48 raste aktive sa ishin të dielën e 12 qershorit, numri i tyre ka arritur në 106 të dielën e 19 qershorit. Në 24 orët e fundit janë shënuar 15 raste pozitive me COVID-19 nga 249 testime, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë të dielën.

Nga kjo ministria kanë thënë për KOHËN se rritja e rasteve nuk është në nivel alarmues, mirëpo duhet treguar kujdes të shtuar.

Sipas saj, rritje të rasteve ka edhe në vendet e tjera.

“Sipas ecurisë së rasteve dhe nevojës, mekanizmat (përkatës v.j.) mund të përforcojnë segmente të caktuara, por tash për tash, niveli i rasteve nuk paraqet ndonjë ngarkesë për sistemin shëndetësor, derisa qytetarëve u rekomandohet që të vaksinohen me tri doza të vaksinës kundër COVID-19 dhe të mos e nënvlerësojnë situatën, duke pretenduar se COVID ka përfunduar”, thuhet në një përgjigje nga MSH-ja.

Edhe Rritet numri i rasteve me COVID-19, MSH-ja bën thirrje për vaksinim Arbëri Rritet numri i rasteve me COVID-19, MSH-ja bën thirrje për vaksinim

Sipas të dhënave të Ministrisë, deri tani vetëm 8 për qind e grupmoshave mbi 18 vjet janë vaksinuar me të tri dozat.

Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se mundësia e rishfaqjes së rasteve mund të jetë edhe e pritur, ngase vaksinimi në masë nuk e ka përfshirë përqindjen mbi 75.

“COVID-19 akoma nuk ka përfunduar, edhe pse jemi duke shkuar kah fundi, ai ende qëndron, variantet e COVID-19 janë të pranishme tash e sa kohë. Vaksinimi dhe imunizimi në masë i qytetarëve ende duhet të vazhdojë në trendin, siç është paraparë me protokolle, me udhëzues”, ka thënë Ramadani.

Ai ka theksuar se vetëm tri doza të vaksinës mund t’i mbrojnë qytetarët.

“Imunizimi nga njëra anë dhe masat e përgjithshme mbrojtëse anti-COVID janë faktorët kryesorë që pandemia të mos na befasojë dhe të rishfaqet në formë më të theksuar”, ka shtuar ai.

Infektologu këshillon qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në këtë kohë të verës.

“Si këshillë është se duhet të shkohet në drejtim të vaksinimit, imunizimit edhe me dozën e tretë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sidomos tash që jemi në prag të muajit korrik. Në gusht bëhet grumbullimi i qytetarëve në ahengje, restorante e në qendra tregtare. Ne duhet të jemi mjaft të kujdesshëm dhe t’i zbatojmë masat, si higjienën e distancën”, ka thënë ai.

Edhe 15 raste pozitive me COVID-19 të premten në Kosovë Arbëri 15 raste pozitive me COVID-19 të premten në Kosovë

Sipas tij, ata të cilët janë të pranishëm në këto organizime duhet të jenë të vaksinuar me tri doza, përndryshe ka thënë se dy doza nuk e sigurojnë personin që ai të mos infektohet ose riinfektohet me koronavirus.

Që nga shfaqja e COVID-19 në Kosovë, në mars të vitit 2020, kanë humbur jetën 3140 qytetarë si pasojë e kësaj sëmundjeje. Numri i përgjithshëm i atyre që u prekën me COVID-19 është 228.523.