Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vetëm 50.5 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë

Flukse të mëdha qytetarësh prisnin para qendrave të imunizimit gjatë verës, kur Kosova u përfshi nga vala e variantit Delta. Por gatishmëria për vaksinim kishte rënë me të marrë fund kjo valë. Në nivel vendi, vetëm 50.5 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë, 46 për qind me dozën e dytë, ndërsa me të tretën janë vaksinuar vetëm 5.30 për qind

Në pikën e imunizimit kundër COVID-19 në qendër të kryeqytetit nuk ka pasur pritje në rend për t’u vaksinuar, të premten. Interesimi ishte fare i vogël.

Në të gjithë vendin, brenda 24 orëve janë dhënë vetëm 1,209 vaksina.

Habib Azemi jeton në kryeqytet dhe jep një arsye për këtë mungesë interesimi.

“Disa informata që janë bërë, që faktikisht ato janë dezinformata, kanë ndikuar shumë, se përndryshe është mëkat mos me marrë vaksinën kur krejt bota po thonë që me i marrë, dhe shumica janë duke i marrë”, ka thënë Azemi.

Flukse të mëdha qytetarësh prisnin para qendrave të imunizimit gjatë verës, kur Kosova u përfshi nga vala e variantit Delta. Por, gatishmëria për vaksinim ra, me të marrë fund kjo valë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk shprehën pakënaqësi për trendin e imunizimit.

“Fakti qe janë dhënë mbi 1.8 milionë vaksina, tregon që pjesa dërrmuese e popullatës është vaksinuar me dozën e parë dhe të dytë, ndërsa vaksinimi me dozën e tretë ka filluar në fund të vitit 2021 dhe është proces duke u zhvilluar dhe shumica e atyre që vaksinohen ditëve të fundit marrin doza të treta”, thuhet në një përgjigje me shkrim, që KOHËS ia ka dhënë Divizioni i Komunikimit me Publikun i kësaj Ministrie.

Mbështetur në të dhënat që Ministria ia ka vënë KOHËS në dispozicion, gjithsej 50.5 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë, 46 për qind me dozën e dytë, ndërsa me dozën e tretë janë vaksinuar 5.30 për qind.

Imunizim në shkallë më të lartë kanë moshat e shtyra, e në shkallë më të ulët ata nën 12 vjeç.

E, qytetarët shtrojnë nevojën për imunizim dhe besojnë se rritja e numrit të të vaksinuarve ka ulur shkallën e infektimeve.

Pashk Desku, është një qytetar nga Peja që thotë se kosovarët duhet t’u besojnë mjekëve.

“Është një domosdoshmëri e kohës së cilës duhet t’i përgjigjet në tërësi popullata, pa marrë parasysh, sepse na kërkush nuk dimë çdo gjë, por mjekët kanë shku janë shkolluar dhe kanë thënë se duhet me u vaksinu, edhe për ata është e domosdoshme dhe është mirë”, ka thënë Desku.

E Xheladin Tafallari, qytetar nga Prizreni, konsideron se numri i rasteve është ulur nga efekti i vaksinimit.

“Unë mendoj se ndikon dhe kjo duhet të jetë si mësim për ata të cilët nuk janë vaksinuar ngase shihet se dita-ditës bie numri i të infektuarve, prandaj efekti është edhe i vaksinave”, ka thënë Tafallari.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë theksuar se rritjen e gatishmërisë për vaksinim janë duke e synuar nëpërmjet fushatave të vetëdijesimit që janë duke i lansuar në media tradicionale, rrjete sociale dhe platforma të tjera. E, mundësinë e vaksinimit e synojnë duke hapur qendra të reja imunizimi, sikur atë në “Kodrën e Trimave”, që i ka hapur dyert të premten.

Ministria ka paralajmëruar se të tilla do të hapen edhe në komuna të tjera. Po kështu, kanë theksuar të jenë në diskutim edhe opsione të tjera për të rritur numrin e të vaksinuarve me dy dhe tri doza.

Deri të premten, 1,806,748 vaksina janë administruar në Kosovë. Me dozën e parë janë vaksinuar 87,774 qytetarë, me të dytën 812,832, kurse me të tretën 51,579. Këtij numri vaksinimesh i shtohen edhe 44,147 doza përforcuese që janë marrë nga qytetarët.

Artikuj të ngjashëm