Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

70 për qind e Fondit të Diasporës për pandeminë nuk është shfrytëzuar

Për menaxhimin e pandemisë, diaspora kosovare që nga prilli i vitit të kaluar ka kontribuuar me 717 mijë euro në Thesarin e shtetit. Por, edhe pse të nevojshme, mbi 511 mijë euro prej tyre ende nuk janë shfrytëzuar. Për 30-përqindëshin e shpenzuar nga këto mjete nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë pranuar të flasin, përderisa kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se do të ketë transparencë të plotë

Prishtinë, 6 janar - 70 për qind e Fondit të Diasporës që është dërguar në Kosovë për menaxhimin e pandemisë COVID-19 ende nuk është shfrytëzuar.

Që nga prilli i vitit të kaluar, kur ish-kryeministri, Albin Kurti, kërkoi nga diaspora ndihmë financiare, në këtë fond janë mbledhur 717 mijë euro, prej të cilave 515 ende nuk janë shpenzuar.

Nga Ministria e Financave kanë thënë për KOHËN se mjetet janë duke u ruajtur në nënllogarinë e Thesarit të Shtetit dhe se kurdo që shfrytëzohen do të shpenzohen vetëm për menaxhim të pandemisë.

“Nga këto mjete, shuma prej 667,115.70 € janë pranime të jashtme (individë jashtë Kosovës, kryesisht diaspora) dhe shuma 50,658.23 € janë pranime të brendshme (brenda Kosovës). Në shumën prej 511,681.50 € nuk ka pasur mjete të shpenzuara, dhe të cilat barten për vitin 2021. Këto mjete janë të dedikuara të shpenzohen për ta menaxhuar pandeminë COVID-19, bazuar në legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë pranuar të flasin për 206 mijë eurot e shpenzuara nga ky fond, pavarësisht insistimit të KOHËS.

Madje as në konferencën për media që mbajti të mërkurën, ministri Zemaj nuk u përgjigj nëse Ministria ka planifikuar shpenzimin e mjeteve të mbetura, pavarësisht nevojës.

Edhe Diaspora kontribuon me 720 mijë euro në fondin emergjent Arbëri Diaspora kontribuon me 720 mijë euro në fondin emergjent

Por kryeministri Hoti tha se shpenzimi i këtij fondi do të bëhet në transparencë të plotë.

“Ato mjete janë pjesë e buxhetit të Kosovës, edhe për vitin 2021 ne e kemi Fondin për rimëkëmbje ekonomike, ku përfshihet edhe pjesa e buxhetit të shëndetësisë, siç kemi vepruar edhe në vitin 2020. Edhe sivjet do të shpërndahet me transparencë të plotë në bazë të vendimeve të Qeverisë dhe prioriteteve që ne i vendosim për mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve”, ka thënë kryeministri Hoti.

Në llogarinë e Fondit të Diasporës janë pranuar edhe mbi 118 milionë euro të granteve apo kredive ndërkombëtare të dedikuara për menaxhimin e pandemisë, disa prej të cilave janë destinuar për shpenzim me buxhetin e vitit 2021.