Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

620 kandidatë për zyrtarë korrektues, përzgjidhen 50

Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi të enjten se janë përzgjedhur 50 kandidatë për zyrtarë korrektues, nga 620 sa kishin aplikuar.

Për këtë proces rekrutimi janë dorëzuar 16 ankesa, që siç njofton SHKK-ja, Komisioni i Ankesave i ka refuzuar të gjitha.

“Komisioni përzgjedhës ka qenë i pavarur dhe profesional, dhe nuk ka pasur as edhe presionin më të vogël gjatë përzgjedhjes. Në këtë procedurë të rekrutimit nga 620 kandidatë janë përzgjedhur 50 zyrtarë korrektues, pas publikimit të listës brenda afatit prej 30 ditësh, janë pranuar 16 ankesa, Komisioni i Ankesave ka shqyrtuar dhe vendosur në të gjitha rastet, ankesat janë refuzuar, kandidatët janë udhëzuar që kanë të drejtë ankese në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil”, thuhet në njoftimin për media.

SHKK-ja u ka bërë thirrje aplikuesve që nëse pretendojnë se gjatë procedurës ka pasur shkelje, t’i përcjellin tek organet kompetente.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkroi të mërkurën se Komisioni përzgjedhës nuk pati presion gjatë punës, derisa tha se ishin të lirë "dhe pa asnjë ndikim dhe presion nga kabineti apo dikush nga Qeveria".