Arbëri

KEK-u anulon konkursin e dyshimtë

Foto: Driton Paçarada

Është anuluar konkursi i disa javëve më herët i Korporatës Energjetike të Kosovës për plotësimin e 150 pozitave të lira të punës, e për të cilin pati dyshime për dallavere në punësimin e më shumë se 100 personave.

Sipas një njoftimi nga KEK-u të premten, komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit ka rekomanduar që të anulohet procesi duke nisur nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura dhe për përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs. Komisioni i pavarur përbëhej nga një ekspert i pavarur ligjor i angazhuar në projektin e Bashkimit Evropian për reforma në administratën publike, një ekspert i pavarur i proceseve të rekrutimit dhe zyrtari ligjor i KEK-ut.

Njoftimi thekson se për procesin kishte pasur rreth 230 ankesa.

“Përtej kësaj, komisioni kishte trajtuar edhe tërë procesin e rekrutimit duke filluar nga selektimi, testimi me shkrim dhe testimi me gojë, duke përfshirë edhe pretendimet publike. Bazuar në të gjeturat, komisioni i pavarur ka dhënë rekomandim për anulimin selektimit, rezultateve të testit me shkrim dhe intervistave me gojë për të gjitha 127 pozitat e shpallura me konkurs, bazuar në të cilin është marrë edhe vendimi i Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës”, thuhet në njoftim të KEK-ut.

KEK-u ka thënë se kandidatët e selektuar në fazën e parë do të njoftohen individualisht dhe ata nuk do të kenë nevojë për riaplikim në konkurs.

Përzgjedhja e më shumë se 100 personave për t’u punësuar pati bërë bujë në vend, pas dyshimeve se shumica e tyre ishin të afërm të njerëzve të pushtetit. Partitë opozitare patën akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet se ka emëruar militantë. Kryeministri Albin Kurti pati mohuar akuzat.

Më 5 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë pati njoftuar se ka nisur hetimet në lidhje me punësimet në KEK.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike të Kosovës. Nënkryetarja Vlora Çitaku ka thënë se “rezultatet e themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar tashmë po vërehen”.

“Vetëm një ditë pas themelimit të komisionit, KEK-u anuloi konkursin përmes së cilit u punësuan shumë militantë të VV-së”, ka shkruar ajo në Facebook.