Vetëvendosje ka vetëm gjashtë ditë kohë për ta siguruar shumicën për votimin e Qeverisë Konjufca, por partitë deri tash në opozitë janë të vendosura për zgjedhje të reja. Nga PDK-ja e LDK-ja thonë se as nuk janë kontaktuar, e nga AAK-ja thonë se janë kontaktuar, porse kanë refuzuar mundësinë e bashkëpunimit
Edhe 6 ditë kohë kanë mbetur deri në përfundimin e afatit për votimin e Qeverisë në krye me Glauk Konjufcën.
Nga dy partitë më të mëdha deri tash në opozitë thonë se nuk janë kontaktuar e as nuk duan bashkëpunim me Vetëvendosjen, teksa zgjedhjet e reja i shohin si zgjidhje të vetme.
E nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë bërë të ditur se janë kontaktuar nga LVV-ja, porse kanë vendosur të refuzojnë bashkëpunimin.
“Kanë kërkuar zoti Konjufca për komunikim ose nga zyra e tij, ka pasur kërkesa për takim, por nuk e shohim që me shku në takime ta zëmë si ajo shprehja ‘qitma votën si vëlla se e du Kosovën’”, ka thënë kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj.
Në Lidhjen Demokratike kanë thënë të enjten se nuk kanë pasur kurrfarë komunikimi politik me LVV-në për votimin e mandatarit të saj të dytë për kryeministër.
Deputeti Alban Zogaj u shpreh se qëllimi i LVV-së nuk është të sigurojë shumicën parlamentare, por të blejë kohë. Sipas tij, LDK-ja nuk ka votë për Qeverinë Konjufca.
“Nuk kemi asnjë informacion deri më tani që është kontaktuar ndonjëri prej anëtarëve të grupit tonë parlamentar për këtë rast. Nuk ka pasur asnjë qasje, as institucionale, as zyrtare partiake e as individuale. Çka po shohim ne këto ditë është krejtësisht qasja e njëjtë sikurse me mandatarin e parë. Mandatari i parë, nuk ka pasur as tendencë e as interesim të krijojë institucionet e vendit. Njëjtë po ndodh edhe me mandatarin e dytë”, ka thënë Zogaj.
Edhe në Nismën Socialdemokrate janë të prerë për zgjedhje të reja.
“Nisma nuk ka votë për askënd. Tash situata është thelluar. Presidentja e ka zvarritur tej mase. E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”, thuhet në përgjigjen e kësaj partie.
Një ditë më parë kryetari i PDK-së në dorëheqje, Memli Krasniqi, pati deklaruar se nuk ka pasur kontakte me LVV-në e as kërkesa prej saj për votimin e Qeverisë.
Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se gjasat për formimin e një qeverie të re janë minimale, meqë i mandatuari për kryeministër nuk ka bërë asnjë lëvizje për ta siguruar mbështetjen.
Ai nuk ka pritje që Konjufca të sigurojë më shumë vota sesa siguroi Albin Kurti më 26 tetor në tentimin e parë.
“Nuk ekziston një shumicë e re parlamentare që do t’i siguronte më shumë vota sesa i pati mandatari i parë, Albin Kurti. Kabineti që pritet të prezantojë Konjufca është praktikisht i njëjtë me atë të Kurtit dhe pa ndryshime në përbërje ose në ndonjë aleancë të re politike, nuk pritet as rezultat i ndryshëm. Konjufca ka sinjalizuar se nuk kërkon koalicione të reja, por vetëm mirëkuptim për votimin e qeverisë së tij”, ka thënë Jakaj.
Në Vetëvendosje nuk janë përgjigjur nëse kanë siguruar ndonjë votë më shumë sesa në përpjekjen e parë për formimin e Qeverisë.
Nëse kjo parti nuk i siguron votat për përbërjen e re të ekzekutivit, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që janë paralajmëruar se mund të mbahen në 10-ditëshin e fundit të dhjetorit.