LAJMET E MBRËMJES

Konjufca s’i merr votat për kryeministër, Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme

Lëvizja Vetëvendosje dështoi sërish ta formojë Qeverinë, pasi kandidati për kryeministër, Glauk Konjufca, mori vetëm 56 vota për. Konjufca tha se moszgjedhja e tij kryeministër do ta thellojë krizën politike në vend. Pas dështimit të Konjufcës për t’u zgjedhur kryeministër, Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme

Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar ta formojë Qeverinë edhe në tentimin e dytë.

Ndërrimi i kandidatit për kryeministër, nuk ia ka siguruar kësaj partie as edhe një votë më tepër sesa pati për mandatarin e parë në seancën e 26 tetorit.

Glauk Konjufca mori 56 vota për, të pamjaftueshme për ta funksionalizuar përbërjen e re të ekzekutivit.

Kundër votuan 53 deputetë nga radhët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe. 
Ndërkaq abstenuan tre deputetët e Nismës dhe deputeti nga grupi multi-etnik, Veton Berisha.

Para deputetëve, Konjufca prezantoi kabinetin qeveritar me ndryshime të vogla nga ai i prezantuar nga Albin Kurti në tentimin e parë.

Për zëvendëskryeministër e ministër të Punëve të Jashtme Konjufca e propozoi Albin Kurtin e për ministër të Infrastrukturës Besnik Bislimin dhe hoqi Dimal Bashën nga kjo pozitë që Kurti ia pati besuar në kabinetin e tij në tentativë.

Konjufca derisa kërkoi votën nga deputetët, tha se nëse nuk formohet Qeveria e tij, Kosova do të thellohet në krizë.

Ai tha se Vetëvendosje u përpoq ta shmangë këtë situatë dhe zgjedhjet e parakohshme në tri mënyra.
“Së pari, dy letra për koalicion drejtuar partisë së tretë të cilat u refuzuan. Së dyti përpjekja në

Kryesinë e Kuvendit të gjendet një marrëveshje për themelimin e Komisioneve parlamentare së paku për trajtimin e buxhetit edhe kjo dështoi dhe e treta është kjo e fundit ku ndodhemi tash”, tha Konjufca.

Ai u shpreh se nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, deputetët që lejuan këtë duhet t’i bartin vetë përgjegjësitë.

Dha edhe një shembull të para disa vjetëve kur LVV-ja, sipas tij, tejkaloi inatet politike për interesin shtetëror.

“Ne e ditëm që po të mos votohej buxheti i kryeministrit Hoti, do t’ia bënim një goditje simbolike atij, por goditjen më të madhe do ta merrnin policët, ushtarët, administrata, mjekët. Ne kapërcyem vetëm atë ditë sot po kërkojmë të njëjtën nga ju”, deklaroi Konjufca.

Por, në opozitë e quajtën farsë seancën e sotme dhe thanë se megjithëse LVV-ja e diti paraprakisht rezultatin, e thirri atë që t’ia hidhte fajin.

“As vetë kandidati Konjufca nuk beson se ai do të jetë kryeministër i vërtetë e Kurti zëvendës i tij”, tha deputeti i PDK-së Uran Ismaili.

Kryetari i LDK – së Lumir Abdixhiku, në fjalimin e mbajtur në Kuvend e krahasoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me figurën letrare të Don Kishotit, duke thënë se qeverisja e tij po zhvillohet në një “realitet paralel”.

Abdixhiku ka thënë se i është drejtuar Kuvendit me një metaforë të thjeshtë, por shumë domethënëse, duke përdorur personazhin e Miguel de Cervantesit si simbolikë të qeverisjes aktuale.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka akuzuar mandatarin Glauk Konjufca se po kërkon votën për kryeministër pa prezantuar asnjë program qeverisës.

Sipas tij, Konjufca nuk ka dhënë asnjë premtim përtej 2026-s. Ai ka thënë se Konjufca nuk pati fjalë as për luftën ndaj korrupsionit.

Deputeti nga radhët e Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se nuk do ta votojë qeverinë e propozuar nga mandatari Glauk Konjufca. 

Ai tha se Albin Kurti do të mbahet në mend “për krijimin e diktaturës”.

Qëndrimet e tyre deputetët oponentë të LVV-së i materializuan në votë.

Me votimin e Konjufcës janë ezauruar të dy propozimet për mandatarët për ta bërë qeverinë.

Vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe për shpalljen e tyre do të vendosë presidentja Vjosa Osmani.