44.4 milionë euro është shuma e mjeteve të tepruara nga buxheti i vitit të kaluar të Komunës së Prishtinës, e të cilat janë bartur në buxhetin e vitit 2022.
Kuvendi Komunal i Prishtinës para kalimit të kësaj pike të rendit të ditës ka kritikuar qeverisjen e kaluar për moskryerjen e punëve.
33 për qind e mjeteve të bartura janë nga Drejtoria e investimeve kapitale.
Për mbetjen e një shume kaq të madhe është lënë fajtor edhe mosfunksionimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Kryetari Përparim Rama ka thënë se një numër i madh i kontratave janë në OSHP, prandaj po shikojnë mundësinë që disa projekte t’i dërgojnë përmes UNDP-së.
“Është me të vërtetë problem, një numër i madh i kontratave janë në OSHP dhe për këtë arsye kryeqyteti pëson si ndriçimi, pastrimi dhe menaxhimi i pjesëve të ndryshme të qytetit. Jemi në mënyrë progresive për të gjetur mënyra alternativa, nëpërmjet organizatave të tjera përmes UNDP të kemi partneritet me ta dhe shumë projekte të cilat mund të shkojnë përmes tyre të i dërgojmë përmes zyrës së prokurimit të tyre deri të mos zgjidhet problemi me OSHP-në”, tha Rama.
Megjithatë, Muhamet Selmani nga PDK ka thënë se me Ligjin e prokurimit ka një zgjidhje për këtë bllokadë.
“Ligji i prokurimit është shumë i qartë. Neni 117 i Ligjit të prokurimit thotë se është afati i fundit për marrjen e një vendimi nga ana e OSHP-së, ai vendim është 20 ditë pas ankesës, çdo vendim është i postafatshëm dhe ti ke të drejtë të marrësh çdo vendim për çdo kontratë nëse e ki në proces. Ne i kemi me muaj disa kontrata”, tha Selmani.
Në seancën e tretë të Kuvendit Komunal është votuar edhe lokacioni prapa Pallatit të Rinisë, për ndërtimin e platformës multifunksionale, Teatrit të Operës dhe Baletit.
“Pas një takimi të Komunës së Prishtinës me Ministrinë e Kulturës, ka qenë kërkesë e Ministrisë që të shfuqizohet vendimi i komunës i vitit, me anë të së cilit ka qenë e paraparë ndërtimi i platformës multifunksionale, Teatrit të Operës dhe Baletit te fakulteti teknik, është vendosur që të jetë prapa Pallatit të Rinisë. Ky lokacion është komfor me planin rregullues të Prishtinës”, tha Mimoza Sylejmani, drejtoreshë për Planifikim Strategjik në Prishtinë.
Opozita ngritën shqetësime sa u përket parkingjeve dhe parcelës në atë vend.
Por për këtë kryetari Përparim Rama dhe drejtori i Urbanizmit patën një përgjigje.
“Do të ketë zgjerim të parkingut. Me ndërtimin e parkingjeve nëntokësore do të ketë mjaftueshëm parkingje. Pra nuk do pengohet aspak stadiumi i qytetit. Jemi dakorduar me Ministrinë e Kulturës rreth pozicionimit të ndërtesës së Baletit dhe Operës, kjo mundëson përveç krijimit të ndërtesës së re e po ashtu edhe ndërlidhjen e Pallatit të Rinisë me Arbërinë. Kjo stimulon një lëvizje të lirë të qytetarëve të qytetit”, tha Rama.
“Parcela kadastrale që do jetë e vendosur, ndërtesa është shumë më e madhe sesa vendi që po vendoset ndërtesa. E gjithë ajo njësi kadastrale është në emër të Komunës së Prishtinës”, tha drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki.
Në anën tjetër, këshilltarët komunalë votuan edhe dhënien e autorizimit të kryetarit Përparim Rama, për inicimin e procedurave për kthimin e ndërmarrjes shoqërore “Tregjet” nga AKP në ndërmarrjen publike lokale.
Në këtë seancë ishin paraparë 18 pika të rendit të ditës, mirëpo ato u reduktuan në 12. E për këtë morën kritika nga Vetëvendosje.
Asamblistët votuan edhe për subvencionimin me 60 mijë euro, tri shoqatat e dala nga lufta.