(Artikull i përditësuar me kërkimfaljen e Kurtit) - Kryeministri Albin Kurti ka gabuar në zgjidhjen e një detyre matematikore në inaugurimin e një shkolle në Komunën e Podujevës. Pavarësisht kësaj, të gjithë të pranishmit e kanë duartrokitur, përfshirë ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci. E pasi gabimi u bë viral në rrjete sociale, kryeministri Kurti ka kërkuar falje.
Komuna e Podujevës inauguroi të mërkurën dy objekte të reja shkollore, në Dumosh dhe në Obrançë. Gjatë inaugurimit, kryeministri Kurti brenda një klase u përpoq të zgjidhte një problem matematikor.
Bëhet fjalë për ekuacion me një të panjohur (X).
-(3x) – (-5) = (-5x) – (-2) +3
Sipas kryeministrit Kurti, e që shihet edhe në fotografinë e publikuar nga faqja e Komunës së Podujevës në Facebook, X ka rezultuar të jetë i barabartë me 5.
Por zgjidhja është ndryshe. X në këtë rast është 0 (zero).
Kjo dëshmohet edhe nga prova e detyrës.
Cila duhet të jetë zgjidhja:
-(3X) – (-5) = (-5X) – (-2) +3
-3X + 5 = -5X + 2 + 3
-3X + 5X = 5 - 5
2X = 0
X = 0
Këtë e dëshmojnë edhe kalkulatorët online.
Në pamjet që qarkulluan online shihet se pasi Kurti “zgjidh” detyrën merr duartrokitje nga të pranishmit.
Pasi gabimi u bë viral, në një shkrim në Facebook, Kurti ka kërkuar falje. Ka thënë se nuk do të merrte notë kaluese, po të ishte nxënës.
“Ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit për inaugurimin e shkollave të reja, u tha se vlera financiare e shkollës “Musli Dumoshi” në fshatin Dumosh është mbi 584 mijë euro ndërsa vlera e investimeve në shkollën “Ali Hadri” është afro 500 mijë.
“Uroj që kjo shkollë, e çdo tjetër në vendin tonë, të jetë burim frymëzimi për çdo fëmijë, që të përqafojë dijen e të kërkojë më të mirën nga vetja, nga shoqëria, nga bota… e bashkë me rrjedhën e lumit të Dumnicës, të pandalshme i paçi edhe sukseset tuaja”, u shpreh kryeministri në fjalën e tij.