Gabim të përsëritur e ka quajtur Visar Islami, nënkryetar i Këshillit të Prindërve, vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që furnizimi i nxënësve me tekste shkollore edhe këtë vit të bëhet nëpërmjet subvencionimit të prindërve për blerjen e tyre.
Islami ka ritheksuar se kërkesa e prindërve në vazhdimësi ka qenë që Ministria ta bëjë furnizimin me tekste shkollore dhe jo të bëhet përmes subvencionimit. E ka quajtur absurd arsyetimin e MASHTI-t.
“Ministria po e përdor arsyetimin për çështje financiare, po kushton më shtrenjtë t’i blejë ministria e më lirë prindërit. Është diçka që nuk është reale, është ndrysh oferta për librat për 12 mijë nxënës e ndrysh secilit individualisht”, ka thënë ai në “Interaktiv”.
“Ministrja e ka përsëritë gabimin që e ka bërë vitin e kaluar. Po na paraqet problem ne si prindër dhe nxënësve po u humb kohë”.
Islami ka bërë thirrje që shtëpitë botuese të mos e keqpërdorin këtë çështje dhe të luajnë me çmimet e librave.
“Apel që të mos ndodhë që shtëpitë botuese ta keqpërdorin momentin dhe tekstet të shiten pa çmimin përkatës. E meta është se ka tekste që nuk kanë çmime hiç. Ka ndodhur vitin e kaluar dhe shpresojmë që të mos ndodhë tani. Problemet e vitit të kaluar besoj se do të jenë edhe sivjet”, ka shtuar ai.
Islami është ankuar se këtë vit Këshilli as nuk është ftuar për të diskutuar rreth çështjes së teksteve shkollore.
“Çështja e teksteve nuk është diskutuar fare këtë vit, nuk kemi pasur takim me ministren dhe nuk kemi diskutuar asnjë detaj. Ankesa është bërë. Shpresoj se do të na ftojnë në takim”, u shpreh ai.
Ai ka frikën se edhe këtë vit do të ketë prindër që nuk do të subvencionohen për shkak se nuk do të mund të kyçen në platformën online për të aplikuar.
“Nga viti i kaluar është numër i vogël që nuk janë subvencionuar, 2000-3000 familjarë që nuk janë subvencionuar fare. Arsyetimi ka qenë që nuk kanë aplikuar mirë. Prindërit nuk kanë pasur njohuri, kanë kërkuar ndihmë”, ka potencuar ai.