Politikania serbe Rada Trajkoviq për televizionin “N1” të Serbisë ka thënë se Beogradi i ka pranuar kërkesat e presidentit të Francës, Emmanuel Macron për vizitë të tij në Serbi dhe se po përgatitet arrestimi i Milan Radoiçiqit, i cili ishte prapa sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Trajkoviq ka thënë se Serbia ka kërkuar materiale nga autoritetet e Kosovës për Banjskën.
“Lajmi i ri është se gjyqësori i Serbisë, prokuroria dhe autoritetet e Serbisë, kanë kërkuar zyrtarisht materiale nga autoritetet e Kosovës për Banjskën dhe po përgatiten seriozisht për arrestimin e Radoiçiqit. Vuçiqi e ka pranuar këtë”, ka thënë Trajkoviq.
Trajkoviq ka komentuar edhe lidhur me insistimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Trajkoviq ka thënë se po afrohet përvjetori i sulmit në Banjskë dhe “Kurti dëshiron të tregojë se çfarë ka arritur për një vit”.
Ajo ka thënë se “Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Kurtit nga veriu i Kosovës ka krijuar një zonë policore-ushtarake”.
“Kemi një situatë krejtësisht të jashtëzakonshme, një guaskë të zbrazët pa autoritete civile”, tha Trajkoviq.
Politikania serbe ka thënë se është koha e “e dëbimit të gjitha institucioneve serbe nga territori i Kosovës e M. dhe se popullata po largohet me institucionet”.
Trajkoviq ka thënë se forca e serbëve dhe rezistenca e tyre është zbehur pas “largimit të Radoiçiqit nga Kosova e M. dhe njerëzve të tij”.
“Me largimin e institucioneve largohen edhe qytetarët. Me largimin e Radoiçiqit, i cili për 10 vjet kishte një pushtet të papërshkrueshëm mbi serbët dhe që ishte kryesisht në funksion të maltretimit dhe ngacmimit të serbëve...tërheqja e atyre njerëzve me Radoiçiqin dhe vrasjes së treve zvogëloi forcën e rezistencës së qytetarëve të veriut”, ka thënë Trajkoviq.
Sa i përket hapjes së urës mbi lumin Ibër, për të cilën kanë shprehur kundërshtim edhe gratë serbe nga veriu i Kosovës, duke i thënë në një letër komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash, se frikësohen për sigurinë pasi po afrohet dita e fillimit të vitit shkollor, Trajkoviq ka thënë se nuk është e nevojshme sepse katër ura në veri të Kosovës tashmë funksionojnë.
Ajo ka thënë se “shpëtimi i vetëm aktualisht është ambasadori i SHBA-së, që reagoi ashpër ndaj planit për hapjen”.
“Ai ka reaguar ashpër, forcat e KFOR-it janë në urë, kanë vendosur barriera që mund të ulen dhe të ngrihen dhe ata do ta mbrojnë urën”, tha Trajkoviq.
Trajkoviq ndërkohë ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të shënohet në histori serbe si person që ka punuar në mënyrë aktive për tërheqjen e gjitha institucioneve serbe.
E Kurtin ajo e ka cilësuar si “lider shumë të rrezikshëm të shqiptarëve” dhe tha se bashkësia ndërkombëtare ka filluar ta identifikojë atë si dikush që dëshiron të arrijë “një pozitë historike në historinë shqiptare, si njeri që do të punojë për projektet që ai përgatiti, ndër të cilët është projekti i Shqipërisë së Madhe”.