Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti flet me komandantin e KFOR-it për hapjen e Urës së Ibrit

Kryeministri Albin Kurti në takim me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Oezkan Ulutash

Kryeministri Albin Kurti ka pritur të martën në takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Oezkan Ulutash, me të cilin kanë diskutuar për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se Kurti e ka njoftuar komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urë dhe rezultatet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme. Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”, thuhet në njoftim. 

Më tej bëhet e ditur se Kurti është shprehur i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, “paqja dhe siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura”.

Në këtë takim thuhet se gjithashtu u diskutua dhe rreth ballafaqimit me zjarret në këto ditë të nxehta vere dhe ndihmës që KFOR-i do të mund të ofronte në shuarjen e tyre që nisën me fusha e arritën maleve.

Vetëm një ditë më parë, KFOR ka thënë se çdo veprim në lidhje me hapjen e urës mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut në Bruksel.