Arbëri

Qeveria nuk tregon nëse Kurti do ta ngrejë “çështjen Osmani” në Shkup

Vjosa Osmani - Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje të shkruar

Qeveria e Kosovës nuk ka bërë të ditur të dielën nëse gjatë vizitës zyrtare që të hënën do ta realizojë në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Albin Kurti do ta ngrejë edhe çështjen e skandalit diplomatik me presidenten Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit.

Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, konfirmoi vizitën dhe foli në terma të përgjithshëm për temat që do të diskutohen gjatë vizitës.

“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje të shkruar.

Të premten, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) të premten i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut duke i kërkuar sqarime sa më të shpejta dhe të plota për incidentin në Aeroportin e Shkupit. 

Sipas njoftimit të MPJD-së, presidentja Osmani është përballur me trajtim të papërshtatshëm dhe të kundërligjshëm nga sigurimi i Aeroportit të Shkupit.

“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Presidentes Osmani, sipas njoftimit, që është dhënë të enjten mbrëma nga Presidenca, është tentuar t’i merret telefoni nga sigurimi i Aeroportit të Shkupit të enjten. Siç thuhet në njoftim, Osmani është tentuar të shtyhet edhe fizikisht. 

Presidenca ka lëshuar edhe një deklaratë të premten, në të cilën ka shprehur indinjatën për deklarimet që i ka quajtur të papranueshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut si dhe për atë që e ka cilësuar propagandë të zhvilluar kundër Kosovës. 

“Në vend të kërkimfaljes, dje dhe sot MPB e Maqedonisë së Veriut ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Republikës së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale”, thuhet mes tjerash në reagim. “Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vetë institucionet e sigurisë”.

Kryeministri Kurti nuk ka reaguar për incidentin. E, në Qeveri kanë thënë se vizita e tij në Maqedoninë e Veriut është caktuar përpara se të ndodhte ngjarja në Aeroportin e Shkupit.

“Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, ka thënë zëdhënësi Kryeziu.

Tek pas notës së protestës, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka shprehur keqardhje për incidentin. Në një reagim të saj është theksuar se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës mbajnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv dhe është paralajmëruar se pasi të mblidhen të gjitha informacionet, Ministria do të marrë masat e nevojshme që raste të tilla të mos përsëriten.