Arbëri

BE-ja thotë se hapja e Urës së Ibrit është çështje e dialogut

Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që çështja e hapjes së Urës së Ibrit zgjidhet në dialog në Bruksel. 

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut Veton Elshani në një intervistë për “Tëvë1” kishte thënë se Ura e Ibrit do të hapet së shpejti. 

“Besoj se është çështje kohe se kur do të hapet ura dhe si do të hapet”, tha ndër të tjera Elshani. 

E BE-ja ka thënë se hapja e urës është temë e dy marrëveshjeve të arritura në vitin 2015 dhe 2016. 

“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura mes palëve në vitin 2015 dhe 2016 nën dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Pasi kjo është çështje që i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të bëhen në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në një përgjigje për KOHËN nga Zyra e BE-së për Kosovën. 

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut dhe atë pa vonesa, përfshirë edhe marrëveshjen që ka të bëjë me urën. 

“BE-ja mbetet e gatshme për t’i lehtësuar bisedimet. BE-ja u bën gjithashtu palëve të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrezikojë stabilitetin në terren dhe të shpërqendrojë palët nga zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve – që duhet të jetë prioriteti i tyre kryesor”, ka thënë në përgjigje BE-ja. 

Lista Serbe u ka bërë thirrje KFOR-it, EULEX-it dhe BE-së që të ndalohet hapja e Urës së Ibrit. 

“Ju bëjmë thirrje që të reagoni urgjentisht dhe t’i tregoni publikisht regjimit të Prishtinës se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës dhe M”, ka thënë Lista Serbe.