Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti se në emër të dialogut të jashtëm me Serbinë dhe veprimet në veri ka ngufatur dialogun e brendshëm me sindikatat.
Në një shkrim për mediat të martën, Jasharaj ka thënë se detyrën e luftës për “t’i shuar sindikatat e ka marrë nga kryeministri Albin Kurti, ministri i Financave Hekuran Murati”.
Ai ka akuzuar Muratin e Kurtin se kanë ka bërë çmos që t’i shuajnë sindikatat “që të krijojnë tronditje brenda sindikatave dhe të sjellin udhëheqës sindikalë që janë njerëz të tyre”. Sipas Jasharajt, “Qeveria Kurti dështoi në këtë përpjekje dhe prandaj SBASHK-u dhe disa nga sindikatat tjera u janë bërë halë në sy dhe nuk pushuan me luftën kundër tyre”.
“Ministri Murati kishte shpresë se me platformën e-Kosova do t’i gjunjëzonte sindikatat duke menduar se anëtarësia do të hezitonte të regjistrohej sepse edhe procedurat janë të koklavitura. Duhet pranuar se me këtë veprim, të vetmin në Evropën demokratike, ai arriti të godasë rënd disa nga sindikatat sepse anëtarësia e tyre në numër të vogël është regjistruar në këtë platformën e Hekuranit dhe në mungesë mjetesh ato vështirë se mund të funksionojnë dhe rrezikojnë të shuhen. Hekurani syrin e kishte të SBASHK-u për ta shuar, por i shkoi plani huq sepse në këtë platformë u regjistruan me mijëra anëtarë e po vazhdojnë të regjistrohen sepse ata kanë besim të plotë në sindikatën e tyre. Hekurani duke e parë këtë realitet u inatos dhe bëri tash një veprim tjetër qindra anëtarëve të regjistruar nuk ua ndal kuotën sindikale. Kjo është goditje e radhës e tij, por pa rezultate”, ka thënë Jasharaj.
Kreu i SBASHK-ut ka shtuar se ministri Murati duhet ta kryejë detyrën e tij dhe “nëpërmjet tij të krijohen kushtet për t’u nënshkruar Marrëveshja Kolektive” dhe riaktivizimi i Këshillit Ekonomik Social.
“Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati duhet të pajtohen se këto janë sindikatat në Kosovë dhe këta janë udhëheqësit e tyre që janë zgjedhur me votën e anëtarësisë dhe se vetëm kjo votë mund t’i shkarkojë ata dhe të nisë me dialogun e sinqertë me ta duke shqyrtuar kërkesat e anëtarësisë e duke i zgjedhur e realizuar ato”, ka shtuar ai.